Seanca gjyqësore kundër ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri dhe ish-kreut të Policisë së Vlorës, Jaeld Çela, në Gjykatën e Posaçme të Apelit, e cila ishte parashikuar për t’u zhvilluar sot është shtyrë sërish.
Mësohet se seanca e radhës do të zhvillohet në 17 Janar në orën 11:00, pasi gjyqtari i çështjes Florian Kalaja ka kërkuar kohë për t’u njohur me çështjen.
Kalaja është gjyqtar i ri i caktuar për këtë çështje, pasi gjyqtarët e caktuar me short më herët kanë dhënë dorëheqjen nga kjo çështje.
Tahiri akuzohet për tre vepra të rënda penale, “Korrupsion të zyrtarëve të lartë”, “Trafik të lëndëve narkotike kryer në bashkëpunim” dhe “Grup të strukturuar kriminal”, në kuadër të dosjes “Habilaj”.
Më 25 Nëntor dosja ndaj ish-ministrit dhe ish-zyrtarit, u regjistrua në Gjykatën e Posaçme të Apelit. Gjykata e Lartë mori vendimin më 28 Shtator për të rikthyer çështjen për Tahirin në apelin e GJKKO me trupë tjetër gjykuese, duke rrëzuar kërkesën e SPAK për rigjykim në shkallë të parë.
/a.r