Nga Entela Resuli
Botuar në DITA
Pranvera Duka, bashkëshortja e poetit Arben Duka rrëfen jetën krah poetit, që nga njohja, lindja e fëmijëve e deri te revolta e brendshme që ai kishte gjithmonë me politikën. Gruaja që ndoshta i janë kushtuar më shumë poezi dashurie në Shqipëri, rrëfen sot ditët e para pa bashkëshortin e saj…
Pranvera dhe Arbeni u takuan 42 vite më parë. Ajo, një 17-vjeçare simpatike, ndërsa ai një ushtarak, me shtat të lartë dhe tipare të theksuara. Për Pranverën ishte dashuria e parë, e fortë dhe e mbushur me emocione të bukura, kjo edhe për faktin se partneri që kishte në krah, në radhë të parë ishte poet, e më pas ushtarak.
Pranvera këtë vit të ri e ka kaluar pa poetin e saj, i cili edhe kur i kërkonte një kafe nga dhoma tjetër i dërgonte mesazh, dhe mesazhi ishte me rimë të përputhur. Nuk e beson ende që Arbeni është ndarë nga kjo jetë.
“Më duket sikur ka shkuar diku, sikur do të kthehet, shpesh shoh nga telefoni, pasi në mënyrë të pa kuptuar pres një mesazh. Ende nuk e besoj dot që ai nuk është më me mua”, – tregon Pranvera për DITA, këtë fillim viti.
E takojmë në barin ku Arben Duka pinte kafen çdo ditë dhe krijonte poezi.
“Vij këtu pasi shpresoj që do të më bashkohet, e pres të më afrohet pranë tavolinës me bastunin e tij tipik”, shprehet ajo mendueshëm, edhe pse e kupton që kjo gjë nuk ka për të ndodhur kurrë.
Për Pranverën, jeta me poetin ka patur dy anë; atë të poezive, që ai ia kushtuar asaj dhe janë ndër më të bukurat kushtuar një gruaje, e për këtë ajo është ndjerë gjithmonë e përkëdhelur dhe ndryshe, ajo me njeriun Arben Duka, i cili ka luftuar vazhdimisht me sistemet e për pasojë këtë gjë e ka vuajtur edhe familja e tij.
“Dhe më thoshte gjithmonë; ti do e kuptosh sa i rëndësishëm kam qenë unë, kur të vdes. Tani rri dhe lexoj poezitë që ka bërë për mua dhe më duken aq të rralla”.
Një ndër poezitë e para kushtuar Pranverës janë vargjet e famshme që janë bërë këngë:
Sonte, më the, unë do vonohem,
Ti fli, po derën mos e mbyll”
Po unë të prita deri vonë,
Dhe shok u bëra me një yll.
Befas në mëngjes –o, ç’u hap dera,
Hyre ti më the: “Erdhi pranvera!”
Ty edhe pranverën u kam pritur
Të më vini pa trokitur.
Si dy motra pranë e pranë më rrini,
Që të dyja veç një emër kini,
Ndaj nga njëra tjetra s’ju ndaj unë,
S’di se kë dua më shumë.
Sot më solle ti edhe Pranvera
një lëndinë të blertë te dera…
Ty të shikoja dhe mendoja,
Zëri i zemrës si një fllad më foli:
“Vërtet kjo stinë ta dha emrin?!
Apo emrin ty ta mori?!”
Nuk ja gjejmë dot numrin e saktë të poezive që Arben Duka ka shkruar për bashkëshorten e tij. Ato janë shumë dhe mbi të gjitha janë të bukura njëlloj.
-Por si jeni njohur ju të dy, jemi kuriozë, e pyes Pranverën.
“Motra ime punonte sekretare në Shkollën e Bashkuar, ku Arbeni ishte student. Ishim shkëmbyer dy-tre herë, por kaq. Në vitin 1979 në Shqipëri bie tërmet, ku një nga qytetet që u dëmtua ishte Lezha. Unë vazhdoja të mesmen për Inxhinieri Ndërtimi dhe ne na çuan si klasë në këtë qytet për të ndihmuar në rimëkëmbjen pas tërmetit. Edhe studentët e Shkollës së Bashkuar kishin ardhur në Lezhë.
“Motra ime, me anë të Arbenit më kishte dërguar një kek dhe 500 lekë. Ai vjen në vendin ku ne qëndronim dhe më kërkon. Vjen roja dhe më thotë: O Pranvera, të ka ardhur djali hallës! Kur dal, shoh që ishte Beni dhe më pas, shkuam te turizmi i Lezhës për të pirë kafe. Që nga ai moment, për një muaj me radhë, unë kafet i pija me të në turizmin e Lezhës”.
Mesa duket, keku i motrës, ëmbëlsoi përgjithmonë dashurinë e tyre. Pas atyre ditëve, Arbeni dhe Pranvera nuk u ndanë më asnjëherë.
“Ishte shumë i bukur, yll i divizionit. Uniforma ushtarake i shkonte shumë dhe ndihesha mirë që shoqërohesha më të”, na tregon Pranvera me një krenari që i lexohet në portret.
“Kur kthehemi nga Lezha, unë vij në Tiranë, në shtëpinë time, Beni shkon në Labovë të Gjirokastrës, pasi atje jetonte atë kohë. Në këtë periudhë më dërgonte shumë letra, ishte kohë vere. Më pas, me fillimin e vitit të ri shkollor u takuam përsëri. Erdhi më priti në ditën e parë të shkollës te porta, ndërkohë ishte duke u zhvilluar Festivali Kombëtar i Këngës Popullore, ku fitoi dy çmime edhe pse ishte student i vitit të dytë. Ishte talent.
Festivali ishte tre netë dhe unë kisha shkuar të shoqëroja Benin, gjatë një pauze dalim në holl, ishte Hysni Zela, Avni Mula, Ardit Gjebrea, etj., e i thotë Hysniu: ç’e ke këtë pioniere që mban me vete, o Beni: kjo është nusja ime i thotë. Aty pastaj, u mor vesh. Pas kësaj erdhi në shtëpi, te babai im.”
Familja e Pranverës nuk e ka pritur me lehtësi këtë dashuri. Edhe pse kishin respekt për dhëndrin dhe familjen e tij, por e kishin të vështirë të pranonin faktin që vajza e tyre nga Tirana, ku kishte lindur dhe ishte rritur, të shkonte nuse në Labovë të Gjirokastrës.
Por siç thuhet në një nga tekstet e Dukës, “lëndinë e pa shkelur dashuria e parë, lulet e majit i çel në janar” dhe familjes së Pranverës nuk i mbetet rrugë tjetër vetëm ta bekonin ndjenjën e tyre dhe kështu bën.
Martesë në Gjirokastër
Me përfundimin e studimeve Arben Duka, një vit punoi në Ansamblin e Ushtrisë, libretist dhe më pas u dha një urdhër, për rikthimin e oficerëve në vendlindje. Pranvera mbeti në Tiranë. Provë e vështirë për t’u kaluar dhe komunikimi ishte vetëm me letra. Kjo zgjati vetëm pak muaj dhe Pranvera shkoi… nuse në Gjirokastër. Ishte viti 1981.
“Morëm një shtëpi dhe aty u stabilizuam. Beni kishte një rreth shoqëror të ngritur dhe gjërat na erdhën mbarë. U emërua Sekretar Rinie i Divizionit, posti më i lartë që mund të kishte një student i sapodiplomuar. Pas një viti linda vajzën. Ishin vite të bukura ato në Gjirokastër. Gjatë qëndrimit aty u bëmë edhe me djalë.
Pas 5 vitesh shkuam në Fier. Jetuam aty për shtatë vite dhe në ’92 erdhëm në Tiranë. Gjatë kohës që ishte në Fier u ndje shumë i luftuar. Dhe në këtë periudhë e dërguan 6 muaj në minierën e Memaliajt.
Kur Beni shkroi këngën e Anita Bitrit, “Lulet e majit çelin në janar”, tre ditë përpara festivalit, vinin nga Komiteti i Partisë dhe kalonin në sitë tekstet e festivalit. Simon Stefani, thotë; ç’është ky Arben Duka, ç’janë këto… lule që çelin në janar.
Çohet Beni dhe i thotë, unë nuk e di se çfarë mbulon ti në Komitet Qendror, por është turp që aty ka një injorant si ty. Ai e futi në rreth të kuq që atëherë. U çuan kompozitorët dhe thanë që kjo është figurë letrare, që do të thotë se dashuria është aq e fort sa i çel lulet në janar. Ja kështu u shpjegoheshin gjërat atyre.”
Demokraci, por jo liri
Kur menduan se dolën nga një periudhë e errët, mesa duket nuk ishte kështu. Arben Duka u ndje më i ndrydhur dhe i sulmuar në demokraci se sa përpara saj. Fillimi i viteve ‘90 nuk ka qenë i lehtë për të dhe familjen e tij.
Pranvera na tregon se gjatë një takimi që Sali Berisha dhe Azem Hajdari pati në Fier, thërrasin dhe Arbenin, duke menduar që do të ishte krahu i tyre. Por kur kishte parë programin e tyre, më tha këta duan të shkatërrojnë çdo gjë të ndërtuar deri në atë kohë. I tha hapur Sali Berishës që; unë nuk jam me ju dhe as me këtë metodë me të cilën po kërkoni të vinin në pushtet.
Që nga ajo kohë, Sali Berisha i shpalli luftë, Arben Dukës. Madje shpesh ata janë terrorizuar si familje. Pranvera kujton një fragment, në vitin 1996.
“Ishim duke ecur me Benin krah Lidhjes së Shkrimtarëve dhe vërejmë se po na ndiqte një makinë Benz, ngjyrë gri, unë ndaloj për të blerë një akullore dhe prej aty dalin katër persona dhe tentojnë të fusin Benin në makinë. Nuk ja dolën dot me të, pasi ai ishte trup madh dhe i fuqishëm, tentojnë me mua. Pas disa minutash aty mblidhen shumë njerëz, në ato momente një polic i bën me shenjë makinës që të largohet.
Kjo ishte një ndër skenat më të frikshme që kemi përjetuar, pasi sot mund të ishim të zhdukur. Në atë kohë Beni reagoi, shkroi në gazetën “Koha Jonë”, duke akuzuar drejtpërdrejt Sali Berishën për këtë tentativë pengmarrje, ku shteti bashkëpunonte me krimin. Megjithë këto, Beni nuk i ndali shkrimet e tij.
Më pas, në ‘98, na rrëmbejnë djalin. Ai ishte moment më i vështirë akoma. Për fat e gjejmë në Durrës. Ja, kështu ka qenë jeta jonë, Luftë dhe Poezi!”, shprehet Pranvera ndërsa buzëqesh, duke hedhur vështrimin larg.”
Poeti i popullit!
Pranvera, tregohet e sinqertë dhe na thotë se, shpesh i sugjeronte bashkëshortit të saj që të bënte kompromise, por sipas saj ai ishte i palëkundur në idetë e tij. “Unë jam poeti i popullit. Mua më do populli dhe nuk më intereson se çfarë mendojnë ata lart, pushtetarët”, më thoshte shpesh, tregon Pranvera.
Shumë njerëz gjenin veten te poezitë e tij. Kishte shumë nga ata që mendonin të njëjtën gjë si Beni, por nuk arrinin dot t’i shprehnin si ai.
Për shembull, Beni nuk e ka mbështetur asnjëherë periudhën e Enver Hoxhës, por duke e krahasuar me kohët që po kalojmë sot, ajo kohë sipas tij ishte shumë herë më e mirë.
Në familjen e tij, ata ishin 7 fëmijë dhe të shtatë me universitet, po sot, sa e vështirë është të shkollosh një fëmijë.
Ai e bënte gjithmonë këtë pyetje dhe thoshte, nëse do të shkatërrosh një komb, shkatërro arsimin. Shumë nga mendimet që kishte i ka shprehur në poezinë e tij “Enver Hoxha, o mos të kishte lindur, o mos të kishe vdekur”, që Dita e ka botuar disa herë!
“Dy fëmijët tanë janë shkolluar dhe punojnë jashtë shtetit. Sot janë në Amerikë dhe për këtë ishte shumë i kënaqur. Ai ishte një njeri që e donte shumë vendin e tij dhe këtë gjë shprehet dhe në poezitë e tij, por ata që e kanë drejtuar Shqipërinë, nuk kanë bërë gjë tjetër veçse e kanë dëmtuar, vjedhur, shkatërruar, aq sa sot, gjithmonë e më tepër duket e pashpresë”, tregon Pranvera, e mërzitur që iku me këtë brengë në botën tjetër.
Një tjetër revoltë që kishte, ishte ajo e të drejtave të autorit. Ai ka shkruar me mijëra tekste këngësh. Por ose është paguar shumë pak, ose fare.
Megjithatë, siç ka thënë edhe vetë poeti, ai u largua nga kjo botë fizikisht, por fjalët e tij do të recitohen dhe këndohen gjithmonë dhe kjo është vepra më e madhe që mund të lërë një njeri në këtë botë.
Do të vdes me shpirt të qetë,
Krejt i varfër si Sokrati,
Se në vendin tim të shkretë,
Asnjë i mençur fat nuk pati.