Nga Ylli Pata
Ka qenë me mjaft kolorit diskutimi në dy ditët e para të vitit 2022, në lidhje me kapjen e 119 kilogramëve me kokainë në ngarkesën me banane që vinin nga Ekuadori. Shumica e komenteve ishte një antireklamë ndaj kompanisë së bananeve, në kontenierin e së cilës u gjend lënda narkotike. E kjo zhurmë pati një jehonë tipike e betejës tregtare, që të kujtonte atë të shumë viteve më parë, ku disa media periferike nxirrnin lajme se ka plasur “Lopa e Çmendur”, ndaj njerëzit duhet të blinin mish pule apo derri e jo produkte gjedhi.
Narkotrafiku realisht është një problem më shumë se serioz, është një fenomen që përbën karburantin e krimit të organizuar. Shqipëria është vendi tipik për të ilustruar sesi krimi i organizuar apo narkotrafiku ka qenë “ambasadori” i parë i integrimit në botën perëndimore.
Një fenomen që nisi menjëherë dhe me agresivitet me rrëzimin e komunizmit; ku pamjet e filmit legjendë të Luigi Perelli-t: “Nëse një ditë do të trokasësh në portën time…”, që flisnin për Italinë dhe Europën e mesit të viteve 80 të shekullit të shkuar, u përjetuan në mesin viteve ’90.
Ku fëmijë të familjeve më të mira të Tiranës përjetuan dramën e drogës, një plagë që nuk është dokumentuar asnjëherë plotësisht nga mediat apo letërsia shqiptare. Ishte koha kur heroina shitej lirshëm në rrugët e Durrësit e Kavajës, e ku narkotrafikantët arritën të infektonin fëmijë të njerëzve më me emër dhe intelektualë të kryeqytetit.
Këto drama janë folur e diskutuar gjatë natyrisht dhe janë realisht shumë të rënda, por me kalimin e viteve kanë qenë pjesë e jetës së vështirë të familjebe shqiptare.
Kjo dramë, apo edhe dramat e tjera që solli trafiku i heroinës, në vitet e para, e më pas, që solli edhe vrasje e tragjedi të rënda nuk se u raportuan realisht.
Në radhë të parë nga prokuroria shqiptare. Por edhe kur u hetuan këto çështje, u rrëzuan nga gjykatat.
Lorenco Girolfi dhe Marco Carta, dy gazetarë të njohur në Itali që kanë trajtuar çështjet e narkotrafikut erdhën në nëntor në Tiranë për një dokumentar. Vinin me një rekomandim nga gazetarja e famshme proshqiptare Germana Leoni, një nga të paktat që në kohën e luftës së Kosovës përkrahën UÇK-në.
I rekomandova që përpara se të vijnë e të kontaktojnë me ata që kanë qenë në vite si zë i “anti-narkotrafikut” shqiptar të flasin me DIA pra me Drejtorinë Investigative Antimafia.
E cila i dha shumë informacione, e më pas i drejtoi në SPAK. “Aty kemi njerëzit më të besuar që kemi pasur ndonjëherë”. Kolegët takuan Vladimir Marën, një nga prokurorët më aktivë për krimin e organizuar.
Kur i takova kolegët italianë, që kishin bërë xhiron me “savianot shqiptarë” thanë që nga prokurori Mara morën informacionet e duhura për historinë e narkotrafikut.
Të cilat sot janë të gjithë dosje të dërguara në gjykatë, e nuk janë pak. Por që flasin për trafiqe që nuk flitet për persona, por për “grupe kriminale” çka deri më sot nuk ka ndodhur asnjë akuzë.
Në 2016-n, në Ekuador ndodhi vrasja e parë për trafikun e kokainës, e pas tij ndodhën shumë të tjera, madje jo vetëm në Ekuador.
Ishte koha kur DEA amerikane dhe policitë evropiane i ishin futur në themel grupeve shqiptare të trafikimit të kokainës.
Grupe të cilat në Britaninë e Madhe, Holandë dhe Gjermani po përparonin frikshëm. Ato po zinin vendin e Ndragheda-s kalabreze që kontrollon prej vitesh portin e Hamburgut. Ky i fundit është një nga zonat më të mëdha të shpërndarjes me shumicë së drogës nga Amerika Latine.
Po ç’duan shqiptarët në Ekuador?! Ky vend ka një pozicion tejet strategjik, pasi ndodhet mes Kolumbisë dhe Perusë. Vende që janë dy prodhuesit më të mëdhenj të kokainës në Amerikën Latine.
Prej vitit 2015 dollari është monedha kryesore e këmbimit në vend. Kjo ka krijuar kushte të mira për trafikantët e drogës për pastrimin dhe ruajtjen e parave të tyre në këtë vend.
DEA e ka konsideruar si një postacion kyç të veprimtarisë së saj Ekuadorin. Kjo agjenci ka gjurmuar e para që grupet shqiptare kanë arritur që të bëhen tërheqësit in primus të kokainës direkt nga tregtarët e drogës që vijnë nga Kolumbia dhe Peruja. Në Ekuador është krijuar një komunitet i vogël shqiptarësh që jeton aty. Komuniteti merret me sigurimin e mallit nga prodhuesit. Gjithashtu edhe me lëvizjen e parave që vijnë nga droga dhe që përdoren për të blerë kokainën.
Ilir Hidri, i vrarë i parë në Ekuador ishte arrestuar në Spanjë. Ai ishte pjesë e një grupi ndërkombëtar trafiku të kokainës. Trafiku kryhej nga Ekuadori në Spanjë. Droga shpërndahej më pas edhe në vende të tjera të Evropës.
Pas këtyre zhvillimeve ka pasur ngjarje edhe më të mëdha, arrestime që kanë pasur në Spanjë aktorë shumë të rëndësishëm të Tiranës që janë arrestuar. Po askush nuk foli, madje askush nuk tha pse nuk flet kush. Thelbi qëndron në fabulën se narkotrafiku në radhë ta parë është një krim i rëndë që kërkon të ndiqen penalisht. E në rastin kur ndiqet penalish media mund ta konsiderojë si të tillë edhe të paqyrojë ngjarjen.
Narkotrafiku nuk mund të trajtohet si një antireklamë. E gjëja më e tmerrshme është kur politika apo media sulmojnë klane të caktuara të narkotrafikut për të mbrojtur të tjera. Siç po del hapur këto ditë…