Gjatë këtij viti, Serbia do të jetë nën presion për të njohur Kosovën. Kështu është shprehur ministri i brendshëm, Aleksandër Vulin, teksa ka sqaruar se fuqitë e mëdha po tentojnë të përfitojnë nga situata para zgjedhjeve presidenciale.
“Si gjatë gjithë këtyre viteve, do të kërkohet që ta njohim Kosovën dhe të mos përfaqësojmë interesat e komunitetit serb në asnjë mënyrë, me justifikimin e mosndërhyrjes në marrëdhëniet e brendshme. Priten presione të mëdha sepse po hyjmë në një vit zgjedhor dhe fuqitë e mëdha gjithmonë përpiqen ta destabilizojnë Serbinë. Qëllimi i çdo ndërhyrjeje ndërkombëtare në jetën tonë politike është rrëzimi i Aleksandër Vuçiç ose së paku dobësimi i tij.”
Duke vlerësuar situatën në rajon, Vulin ka theksuar se disa politikanë të papërgjegjshëm po përpiqen të destabilizojnë Ballkanin, ndërsa ka mohuar sërish gjenocidin në Srebrenicë.
“Shumë politikanë të papërgjegjshëm po përpiqen të ndryshojnë gjërat që nuk duhet dhe nuk mund të ndryshohen, siç është e vërteta se nuk ka pasur gjenocid në Srebrenicë. Nuk mund ta kërcënoni popullin serb se do ta shfuqizoni Republikën Srpska. Nuk mund të mos e zbatoni Marrëveshjen e Brukselit në Kosovë dhe Metohi. Kjo më shqetëson dhe prandaj nuk jam optimist.”
Ministri i Brendshëm serb ka akuzuar gjithashtu Prishtinën që ka rritur presionet në veri ndaj serbëve, me pretendimin se po lufton krimin e organizuar.
/a.r