Prokurorja e Përgjithshme e Nju Jorkut Letitia James ka lëshuar së fundmi një fletëthirrje ndaj ish-Presidentit Donald Trump dhe dy fëmijëve të tij më të mëdhenj, për të dëshmuar në lidhje me një hetim civil në vazhdim e sipër, mbi praktikat e biznesit të familjes së tij.
Agjencia ‘Associated Press’ njoftoi se ka kërkuar komente mbi këto zhvillime nga avokatët e familjes Trump dhe zonja James.
Familja Trump pritet të paraqesë një ankimim në përpjekje për t’i anuluar fletëthirrjet, duke nisur një luftë ligjore e ngjashme me atë që u zhvillua vitin e kaluar pasi zyra e zonjës James thirri një tjetër nga djemtë e zotit Trump.
Zonja James, një përfaqësuese e Partisë Demokrate, ka shpenzuar më shumë se dy vjet duke analizuar nëse Organizata Trump ka mashtruar bankat apo administratën e taksave në lidhje me vlerën e pasurive të tij, duke i fryrë ato për të siguruar kushte të favorshme kredie ose duke i minimizuar, për të përfituar ulje nga taksat.
Megjithëse hetimi civil është i ndarë nga një hetim penal që po drejtohet nga zyra e prokurorit të qarkut të Manhatanit, zyra e zonjës James ka qenë e përfshirë në të dyja. Në fillim të këtij viti, ish-Prokurori i qarkut Cyrus Vance Jr. siguroi qasje tek të dhënat tatimore të manjatit të pasurive të paluajtshme pas një beteje shumëvjeçare e cila përfundoi dy herë në Gjykatën e Lartë. /VOA