Në Kuvendin Kombëtar të 11 dhjetorit në stadiumin “Air Albania” 4,446 delegatë të Partisë Demokratike votuan “pro” shkarkimit të kryedemokratit Lulzim Basha. Dhe kjo ngjarje, sipas Çlirim Gjatës, duhet lexuar dhe kuptuar politikisht nga Basha i cili “duhej ta kishte marrë tashmë mesazhin që nuk e ka më mbështetjen e demokratëve.”
Në një bisedë me Juli Xhokaxhi në “Radari Informativ” në ABC, ish-sekretari ligjor i PD tha se grupimi i Berishës do të shkojë në Selinë Blu më 5 janar, dhe “aty mbaron historia.” I pyetur se si do të veprohet nëse kreu i demokratëve nuk pranon të lërë zyrën, Gjata u përgjigj shkurt: “Do ta nxjerrim.”
Megjjithatë, ai e hodhi poshtë mundësinë që në këtë datë të ketë përplasje në selinë blu duke shtuar se tashmë Lulzim Basha është thjesht një qytetar për ta.
“Nuk është problem me vepru kundër dikujt që i ka ikur mendja. Është qytetar i thjeshtë që bie fjala s’do me të liru rrugën në makinë. E tillë është situata. Të ishte përplasje e kishim kry atë punë. Do shkojmë, do të hyjmë dhe aty e mbaroi historia.”
Situata sipas ish-sekretarit ligjor të PD nuk zgjidhet as nga gjykata. Kjo pasi, siç shpjegon ai, dërgimi i statutit në gjykatë është thjesht procedurë dhe nuk ka asnjë vlerë.
“Satatutet hynë në fuqi në momentin e miratimit të Kuvend, bëjnë edhe po të mos çohen në gjykatë.”
Nëse gjykata do të regjistrojë statutin e çuar nga Basha, Gjana thotë se kjo do të jetë një ndërhyrje e hapur e kryeministrit Edi Rama. Këtë të fundit ai e cilësoi një “humorist të keq” që nuk ka pse të përfshihet në punët e brendshme të Partisë Demokratike.
Çlirim Gjata thotë se Rama i trembet rikthimit të Sali Berishës ndërsa solli në vëmendje se qeverinë e presin “protesta të llahtarshme”, pas skandaleve të fundit si ai i nxjerrjes së databazave me të dhënat personale të shqiptarëve.
“Këtë Edi Rama e di dhe prandaj e ka zënë tmerri.”/m.j