Nga Emili Bibolli
Kush e ndoqi sadopak Festivalin e 60 të këngës në RTSH, besoj e sheh se ai lloj konglomerati lëngon nga të quajturit Festival Kombëtar.
Një format ku peshën kryesore e mban banaliteti dhe motivet e tipit ah, uh, më ke lon, smë ke lon, etj nuk mund të quhet Festival. Në asnjë vend të qytetëruar arti nuk përdhoset në këtë mënyrë siç e përdhosin në Shqipëri.
Kudo ta çosh telekomandën në televizionet e huaja, shikon paraqitje të cilat artin dhe mesazhin e kanë në themel.
Nuk ndodh për shembull që në Sanremo, të dëgjosh këngë skandaloze, pa asnjë lloj kuptimi, apo të shohësh këngëtare që synojnë të shfaqin më tepër format, artificat apo sajesat sesa origjinalitetin, talentin dhe krijimet e tyre muzikore.
Televizioni shqiptar dhe të gjithë ata që duartrokasin këto lloj modelesh duhet të kuptojnë se ne na nevojitet tjetër lloj modeli dhe mesazhi kulturor. Për më tepër, në arenën e huaj muzikore vendi ynë duhet të paraqitet sa më mirë dhe në mënyrë dinjitoze. Një këngë si ajo që fitoi mbrëmë çmimin e madh, nuk mund të përfaqësojë vendin tonë në mënyrën e duhur dhe nuk ka aspak lidhje me artin.
Kjo lloj muzike që po mbizotëron çdo ditë e më shumë në tregun muzikor shqiptar, është shqetësuese për modelin që i servir shoqërisë shqiptare. A mund të të dhurojë emocione të bukura dhe pozitive, kënaqësi apo të të frymëzojë një muzikë që në tematikë ka banalitetin, luksin, tradhëtinë, dhunën, të fortët, drogën? Çfarë mesazhesh përcjell kjo lloj muzike, e sidomos tek të rinjtë?
Mirupafshim në Eurovizion, megjithëse besoj se këtë herë po përfaqësohemi në mënyrën më të keqe të mundshme.