Eksponatet e tekstilit të familjes Jashari, prej dy vjetësh kanë mbetur larg syve të publikut. Për to ende nuk ka një vend të përhershëm. Prej fillimit të vitit 2014 – kur u kthyen nga Tirana ku ishin harruar për gati një dekadë – mbi 100 sendet që dëshmojnë krimin mbi familjen e komandantit legjendar Adem Jashari, kanë mbetur në pesë pako të mëdha në laboratorin e katit përdhes në Muzeut të Kosovës, shkruan Koha Ditore.
Kur mbërritën aty, në shkurt të vitit 2014, u premtua se vendi i përhershëm i tyre do të ishte Memoriali “Adem Jashari” në Prekaz por për shkak të moskryerjes së punimeve dhe kushteve joadekuate po qëndrojnë në Muze. Fiks 112 eksponate, në mesin e të cilave çarçafë, këmisha, bluza, batanije, çorape, meste, qilima, jastëkë, dantella, mbulesa shtrati e gjëra të tjera, më 2006 u zhvendosën për konservim në Muzeun Historik
Kombëtar në Tiranë dhe sherri i një fature të papaguar prej afro 5 mijë eurosh, mbetën atje. Një pjesë e tyre u bënë pjesë ekspozitës “Qëndresa historike e Jasharëve për liri”, e cila u hap në nëntor të 2014-s në Muzeun Kombëtar dhe u rikthyen sërish në laborator.