Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ka thënë se ekziston një pakt i dukshëm mes Prishtinës e Zagrebit.
Vuçiç po ashtu eshte shprehur se do të adresojë pyetje te komuniteti ndërkombëtar, në radhë të parë te BE-ja e SHBA-ja, dhe të gjithë shtetet që mbështesin pavarësinë e Kosovës, në lidhje me atë se nuk po lejohet të mbahet referendumi i Serbisë edhe në Kosovë.
“Sa i përket Prishtinës e Zagrebit, është një pakt krejtësisht i dukshëm, nga mediat, deri te ai financiar dhe i sigurisë. Nuk është ndonjë befasi. Ka njerëz që mendojnë se vetëm një Serbi inekzistente është Serbi e mirë. Nuk ekziston për ta një Serbi që është mjaftueshëm e vogël. Dhe ata mendojnë se të gjithë paraardhësit e mi kanë qenë më të mirë. Sigurisht sepse Serbia atëherë ishte e vogël dhe e dobët, e më nuk është e tillë. Kur u shpall pavarësia e të ashtuquajturës Kosovë, njëri iku në Rumani dhe tjetri i dha fund mitingut”, ka thënë Vuçiç raporton “B92”.
Sa i përket pyetjes nëse pret konstruktivitet nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurtit, Vuçiç nuk ka dashur të komentojë.
“Çfarë do të bëjnë, a do t’i çojnë tanket, përkatësisht, mjetet e blinduara, pasi tanke nuk kanë, në qendrat e votimit. Nuk e kuptoj pse duan të shkaktojnë tensione. Është puna jonë të jemi me popullin tonë, të ruajmë paqen dhe të respektojmë Kushtetutën tonë. Për mua është shumë e rëndë që nuk po lejojnë Veljko Odaloviqin apo Petar Petkoviqin të hyjnë në Kosovë e Metohi, pasi po sillen si dikush që dëshiron të shkaktojë incidente. Ata thanë se nuk do të lejojnë të mbahet referendum në komunitetet serbe në Kosovë e Metohi”, ka thënë Vuçiç.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, sot në konferencë për media tha se nuk do të lejohet mbajtja e referendumit të Serbisë në territor të Kosovës./Koha
g.kosovari