Rreth 90 për qind e pacientëve me koronavirus, të shtrirë në kujdes intensiv, nuk kanë pasur doza përforcuese të vaksinës, tha kryeministri britanik, Boris Johnson, teksa mbroji vendimin e tij që të mos shtrëngojë masat kundër pandemisë në Angli.
Duke folur nga një qendër vaksinimi, Johnson u bëri thirrje qytetarëve që të marrin dozat përforcuese të vaksinës kundër koronavirusit, duke thënë se “shumica” e rasteve aktuale në kujdesin intensiv nuk kanë doza përforcuese.
“Kam biseduar me mjekët që thonë se rreth 90 për qind e personave në kujdesin intensiv nuk kanë doza përforcuese”, tha Johnson.
Ai paralajmëroi se ata që nuk janë vaksinuar “kanë tetë herë më shumë gjasa që të hospitalizohen”.
Mbretëria e Bashkuar është goditur rëndë nga varianti i ri Omicron dhe Anglia dhe Uellsi kanë regjistruar numër rekord të rasteve më 28 dhjetor.
Deri më tani, Mbretëria e Bashkuar ka regjistruar 148,021 viktima, që është numri më i lartë i regjistruar nga ndonjë shtet në Evropë.
Mbi 32.5 milionë qytetarë kanë marrë doza përforcuese, tha kryeministri Johnson./ REL
/b.h