Bujar Leza, 45-vjeçari i arrestuar sot për vrasjen e biznesmenit Behar Sofia në shkurt të këtij viti do të përgjigjet për katër vepra penale: “Vrasja me paramendim”; “Mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, kryer në bashkëpunim të veçantë, atë të grupit të strukturuar kriminal; “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.
45-vjeçarit i është komunikuar masa e sigurisë e vendosur nga Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, arrest me burg teksa ndodhej në ambientet e burgut të Fushë-Krujës, i arrestuar për dhunë në familje.
Por cili ishte roli i Bujar Lezës në vrasjen e bujshme të biznesmenit Sofia?
Nga burimet raportohet se Bujar Leza nga Larushku, kishte njohje me të arrestuarin tjetër si bashkëpunëtor Leonard Xhixha dhe së bashku kanë ruajtur lëvizjet e objektivit të sulmit Behar Sofia.
66-vjeçari Sofia u ekzekutua mëngjesin e 25 shkurtit në kryeqytet, pranë Piramidës, në një zonë me lëvizje të shumta. Për ngjarjen janë arrestuar më herët 4 persona, Ernejt Shyti si ekzekutor dhe tre bashkëpunëtorët e tij Skënder Vathi, Leonard Xhixha dhe Xhuljano Visha.
/a.r