Duke nisur nga data 4 janar, të gjithë punonjësit e administratës publike, supermarketeve dhe qendrave tregtare do të duhet të dorëzojnë certifikatën e vaksinimit, në të kundërt do të duhet që çdo 5 ditë të paraqesin përgjigjen e testit për të dëshmuar që nuk janë mbartës të virusit.
URDHRI
Urdhri i ministres Manastirliu përcakton që, krahas testit dhe pasaportës së vaksinimit, e vlefshme do të jetë edhe certifikata e shërimit. Kjo e fundit lëshohet nga autoritetet shëndetësore dhe ka vlefshmëri 6 muaj nga data e lëshimit.
Përjashtim nga ky urdhër bëjnë rastet që kanë problematika shëndetësore, të cilat e bëjnë të pamundur injektimin e vaksinës anti-Covid.
MBULESA VAKSINALE
Të dhënat zyrtare tregojnë se mbulesa vaksinale në vendin tonë vijon të jetë e ulët. Përgjatë një viti, vetëm 40 për qind e popullatës rezulton e vaksinuar me të dyja dozat anti-Covid.
Ndërkohë që prej muajit nëntor ka nisur të aplikohet edhe doza e tretë e vaksinës te të gjithë ata që kanë mbi 6 muaj që kanë injektuar dozën e dytë. Vaksinimi i detyrueshëm për punonjësit e administratës, supermarketeve dhe qendrave tregtare erdhi si pasojë jo vetëm e ngadalësimit të ritmit të vaksinimit apo faktit që këto kategori janë më të ekspozuara ndaj infeksionit, por edhe për shkak të kërcënimit nga variantet e reja që janë në qarkullim.
Prej disa javësh, trasmetueshmëria e variantit “Omicron” po shihet me mjaft shqetësim nga autoritetet shëndetësore, të cilat kanë rikthyer kufizimet duke ngjallur jo pak zemërim në popullatë. Në këto kushte, kur prezanca e koronavirusit mbetet ende kërcënim, shpresa shihet te vaksinimi.
g.kosovari