Publikimi i databazës së pagave për qytetarët, por edhe bizneset, është jo vetëm cënim i të dhënave sensitive të shqiptarëve, por njëherazi edhe rrezik për sulme nga shërbime keqdashëse për Shqipërinë.
Ekspertët e IT e kanë vlerësuar si një ‘karem’ për grupet kriminale që mund ta përdorin këtë në favor të tyre. Në një intervistë për A2 CNN, eksperti i IT-së, Edmond Liçaj, shprehet se lista e të dhënave mund të keqpërdoret edhe nga shtetet fqinje.
“Tani bëhet fjalë për të gjithë republikën. Tani, keqdashësit kanë më shumë informacion. Ai përhapet edhe te shtetet fqinje, edhe te të huajt që nuk ia duan të mirën e Shqipërisë i kanë këto të dhëna që duhet të ishin të ruajtura”, thotë eksperti i teknologjisë së informacionit.
Sipas Liçajt, situata e krijuar ngre shumë pikëpyetje për funksionimin e institucioneve përgjegjëse, teksa thekson se personat që përgjigjen për aksesin në të dhëna të tilla, duhet të jenë të pajisur me certifikatë.
“Nëse do të shohim databazën, atë renditje e ka vetëm një institucion. Ai dokument na identifikon institucionin. Brenda në institucion, të dhëna të tilla i kanë vetëm disa persona, të cilët besoj se janë me certifikatë sigurie. Sidomos te këto të dhëna, minimumi duhet të ketë 3 nivele autorizimi për t’u futur në sistem”, thotë Liçaj./m.j