UPDATE/ Ambasadori amerikan Donald Lu ka përfunduar takimin e tij me kryeparlamentarin Ilir Meta. Në dalje ambasadori Lu nuk ka dhënë asnjë prononcim për median, duke u mjaftuar me një “faleminderit”. Më pas ambasadori i është drejtuar automjetit të tij. Takimi mes Lu-së dhe Metës ka zgjatur rreth 3 orë.
Prej më shumë se dy orësh Kreu i Kuvendit Ilir Meta vijon takimin me Ambasadorin e SHBA-së Donald Lu, ku bashkëbisedimit për reformën në drejtësi, i është bashkuar dhe Ministri Ylli Manjani.
Pavarësisht se informacionet e deritanishme në lidhje me diskutimet mes Metës dhe Lu-së kanë qenë të pakta, ajo që dihet është se diskutimet për reformën në drejtësi kanë qenë tema e bashkëbisedimit, në kushtet kur ecuria e reformës duket se ka ngecur, pas bojkotit që opozita i bëri ditën e djeshme, mbledhjes së ekspertëve.
Opozita kërkon që në emërimet e funksionarëve të lartë në drejtësi të bëhen me më shumë se 3/5 e votave në parlament ose të gjendet një formulë tjetër. Ky qëndrim i referohet edhe rekomandimeve të Komisionit të Venecias, ndërkohë që palët politike nuk kanë gjetur ende dakortësinë për këtë çështje.