Kryedemokrati Lulzim Basha duhet të hapë zgjedhjet për kryetarin e ri të Partisë Demokratike. Kështu ka deklaruar në ‘Studio Live’ në Report Tv, ish-sekretari për çështjet zgjedhore në PD, Ivi Kaso. Sipas tij, zgjidhja e situatës në të cilën ndodhet PD është vetëm ‘kutia e votimit’ ku demokratët të shprehin vullnetin e tyre të lirë. Ai thotë se nuk është e drejtë që Basha mos ta hapë garën për kryetar me pretendimin se sapo është zgjedhur.
“Zgjidhja do kishte ardhur shumë thjeshtë nëse ata që sot popullojnë zyrat e katit të dytë të PD nëse do kishin besuar ashtu si kundërthonë të demokracia dhe fuqia e votës, zgjidhja ka qenë një, që kur ka nisur krisja. Zgjidhja ka qenë një kutia e votimit, me komisone të balancuara e fleta votimi të certifikuar.
Ne që për 4 vite kemi bërë pafund protesta, kemi dal me teorinë që unë jam votuar brenda pak muajsh dhe nuk mund të bëjmë zgjedhje. Prandaj u detyruan demokratët ta merrnin vetë fatin në dorë”, u shpreh Kaso në Report TV.
Kaso hodhi poshtë pretendimet e anëtarit të Këshillit Kombëtar, Namir Lapardhasë se ambasadorja amerikane tha se PD do vijë në pushtet. Sipas tij, ambasadorja e SHBA-së ka thënë se Amerika do të bashkëpunojë me PD nëse vjen në pushtet.
“Ambasadorja amerikane nuk ka thënë ndonjëherë që ne shpresojmë që PD të vijë në pushtet. Ka thënë nëse PD do vijë në pushtet do jemi të lumtur të bashkëpunojmë siç është nëse LSI ose Partia Agrare do të vijnë në pushtet përsëri do të jenë të lumtur.
Janë shumë të kujdesshëm ambasadorët dhe duhet të jemi të kujdesshëm me shqiptarët me ca iu servirim që mos të themi që Amerika do ta shohë PD në pushtet. Kjo është gënjeshtra më e madhe dhe shërbimi më i keq që mund t’i bëjmë PD duke i bindur demokratët që Amerika do të çojë PD në pushtet”, tha Kaso.
Sipas Kasos, ‘lufta’ në PD nuk ka ardhur nga përjashtimi i Sali Berishës nga grupi parlamentar, por përjashtimi ishte një indicie që nxiti anëtarët të revoltoheshin kundrejt të gjitha pakënaqësive që janë krijuar në këto 8 vite në PD.
“Mjaft e thjesht të thoje një emër, situata është serioze dhe shumë komplekse, ata që kanë kontribuar në këtë situatë janë një sërë faktorësh të cilët nuk nisin me datën 9 shtator, ashtu sikundër është pozicionimi zyrat i selisë, por nga një sërë pakënaqësish të cilët anëtarësia e PD i kanë përjetuar në kohë të ndryshme dhe pas humbjeve të zgjedhjeve të përgjithshme janë thelluar. Vendi i fundit i 9 shtatorit i Bashës shërbeu si katalizator për ta shpërthyer në këtë formë, problemet aty kanë qenë”, u shpreh Kaso.
Ish-anëtari i Këshillit Kombëtar, Namir Lapardhaja thotë se Sali Berisha nuk mund të vijë në krye të Partisë Demokratike. Lapardhaja thotë se edhe pse ish-kryeministri po përpiqet të krijojë perceptimin se ka shumicën në parti, protesta kundër ‘Ballkanit të Hapur’ tregoi se Berisha është një minorancë brenda PD-së.
“Ngërçi zgjidhet vetëm tek institucionet e PD. Problemi është se kemi dy palë. Në këtë situatë ku jemi ne çështja është e pamundur për tu zgjidhur me kompromis. Berisha nuk mund të rikthehet në krye të PD, nuk mund të kthehet në krye të punëve të vendit, ai e tregoi, pavarësisht një zhurme të madhe gjatë foltores, por edhe kuvendi dhe referendumi por edhe protesta para pak ditësh na tregoi që Berisha është minorancë brenda PD, sigurisht brenda shoqërisë shqiptare dhe kjo e ka bërë që ditët e fundit të bëj këto akte, thyerjen e derës së selisë. Berisha nuk ka të ardhme në Partinë Demokratike dhe nuk ka të ardhme në politikën shqiptare”, tha Lapardhaja. /m.j