Mbahet sot në Tiranë takimi zyrtar i “Ballkanit të Hapur” me praninë e Kryeministrit Edi Rama, Presidentit serb Aleksandër Vuçiç dhe kryeministrit maqedonas Zoran Zaev. Ishte kreu i qeverisë shqiptare që priti dy liderët e tjerë të rajonit në Pallatin e Brigadave.
Takimit do t’i bashkohet online dhe komisioneri për zgjerimin, Oliver Varhelyi.
Çfarë pritet të ndodhë?
Fillimisht Rama, Vuçiç dhe Zaev do të zhvillojnë një takim të shkurtër pa praninë e delegacioneve të tyre. Më pas do të zhvillohet seanca plenare ku do të ketë diskutime për të ardhmen e axhendës së “Ballkanit të Hapur”.
Rreth orës 11:30 është parashikuar të mbahet ceremonia e nënshkrimit të marrëveshjeve dhe më pas forumi i Agrikulturës dhe Kooperimit Rajonal. Në orën 13:00 të tre liderët do të dalin një konferencë për mediat. Gjatë këtij takimi është parashikuar që të përmbyllen 5 marrëveshje.
Marrëveshja e parë është për kushtet për aksesin e lire në tregun punës, ndërsa marrëveshjet e tjera kanë të bëjnë me skemat e përbashkëta për identifikimin elektronik të qytetarëve në pikat kufitare, për bashkëpunimin në fushën e sigurisë ushqimore dhe për njohjen e ndërsjelltë për operatorët ekonomikë.
/a.r