Ministri serb Aleksandar Vulin ka uruar besimtarët për Krishtlindje dhe ka vlerësuar se gëzimi i festës në Kosovë prishet për shkak se nuk dihen bërësit e krimeve ndaj serbëve.
Vulin ka marrë pjesë në liturgjinë e mbajtur në Patrikanën e Pejës dhe nga atje ai i ka kërkuar bashkësisë ndërkombëtare që të krijohen kushtet për kthimin e serbëve në Kosovë.
Ministri Vulin, i njohur me deklaratat provokuese ndaj Kosovës dhe me vizitat e tij në të me leje e pa leje nga Qeveria kosovare, i ka thënë Tanjug-ut se gëzimi i kësaj feste është prishur me, siç e ka cilësuar ai, dhunën e djeshme në Gjakovë, përpjekjen për vrasje në Gorazhdec, duke shtuar se “gëzimin e kësaj feste me vite e prish fakti se nuk dihet kush i ka bërë krimet e tmerrshme në Kosovë ndaj më shumë se 1000 serbëve qëkur në Kosovë ka ardhur bashkësia ndërkombëtare”, transmeton Koha.net.