Grupi hetimor i ngritur për zbardhjen e atentatit ndaj Endrit Sadedinit në Vlorë këtë të diel ka sekuestruar pamjet e kamerave të sigurisë përreth zonës ku ndodhi shpërthimi me tritol në përpjekje për të rënë në gjurmët e autorit të krimit.
Burime nga policia bëjnë me dije për ‘Shqip’ se vendi ku ka ndodhur shpërthimi në zonën e Lungomares është i mbuluar mirë me kamerat e sigurisë së dhjetra bizneseve të zonës.
Grupi hetimor beson se nisur nga mekanizmi shpërthyes i vendosur në lëndën plasëse autori ka qenë pranë makinës së viktimës, ndoshta edhe duke e ndjekur atë vizualisht në momentin që ka shtypur komandën shpërthyese.
Policia ka identifikuar një person nga këqyrja e këtyre kamerave që ka kryer lëvizje të dyshimta pranë garazhit të Endrit Sadedinit, ndërsa po punohet për identifikimin dhe kapjen e tij si autori i mundshëm i ngjarjes.
Ndërkohë, 34-vjeçari Sadedini ndodhet i shtruar në spitalin e Traumës në Tiranë, ku dyshohet se është në gjendje të rëndë shëndetësore.
/a.r