Mesfushori Blerim Xhemaili është dërguar në spital gjatë ndeshjes ndërmjet Genoas dhe Sampdorias, të zhvilluar të martën mbrëma. Mediumet italiane kanë raportuar të mërkurën se Xhemaili natën e ka kaluar në spital dhe atij i është caktuar masa e pushimit të detyruar prej 48 orëve, kështu që pritet t’i mungojë Genoas për ndeshjen e së dielës kundër Atalantas.
Xhemaili në fund të pjesë së parë ndaj Sampdorias është goditur me top në kokë, por në dhomën e zhveshjes ka humbur ndjenjat. Ai është dërguar në spital ku i është bërë skanimi i kokës dhe është konstatuar se ka pasur një tronditje të vogël. Genoa e ka humbur ndeshjen e xhiros së 18-të me rezultatin 3:2. Xhemaili kundër Sampdorias ishte titullar dhe për të kjo ishte paraqitja e nëntë në Serie A.