Plani i privatizimit të kompanive shtetërore 2015-2017, i hartuar nga Ministria e Ekonomisë synon të sjellë 99.3 milionë euro të ardhura në buxhetin e këtij viti, por që gjithsesi ky mbetet një plan në varësitë kushteve të tregut.
Nga kjo vlerë 95 milionë euro pritet të përfitohen nga shitja e kompanisë shtetërore të nxjerrjes së naftës, Albpetrol. Një grup pune me asistencë teknike nga IFC, është duke studiuar mundësinë e ristrukturimit të kompanisë shtetërore, me qëllim shitjen e tij si një aset strategjik. Mbi 4 milionë euro të tjera janë programuar të arkëtohen nga privatizimi i ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme.
Vlera prej 95 milionë eurosh që qeveria synon të shesë Albpetrolin është trefish më e ulët se sa, oferta serioze e Bankers Petroleum mbi 300 milionë euro e vitit 2012 kur dështoi tenderi i parë për shitjen e kompanisë.
Por që nga ajo kohë kushtet në industrinë nxjerrëse të naftës kanë ndryshuar nga rënia e çmimeve të shitjes me pakicë. Investitorët në këto kushte orientohen me shumë drejt kërkimit të burimeve të reja dhe jo shumë në nxjerrje.
Ndërsa më 2017 janë programuar të arkëtohen 53 milionë euro nga shitja e paketës së aksioneve shtetërore në kompanitë Albtelekom dhe ARMO.
Qeveria është në proces të përgatitjes së kuadrit ligjor dhe procedurave për shitjen e këtyre kompanive, si dhe është duke krijuar grupe pune për të vlerësuar dhe adresuar çështje që lidhen me ristrukturimin e këtyre kompanive. Ministria e Ekonomisë synon që të gjitha shitjet të kryhen me vlerën e tregut.
Por qeveria duket se ka dështuar në programin e saj të privatizimit të pronës publike me 2015. Nga shitja a INSIG dhe disa ndërmarrjeve të vogla ishin programuar për tu arkëtuar 10.5 milionë euro të cilat nuk janë realizuar. (Monitor)