Vetëm pak ditë na ndajnë nga përfundimi i pallateve të para në lagjen “5 Maji” në Tiranë. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj u shpreh entuziast për familjet e para që do të marrin në dorë çelësat e shtëpive të reja dhe nata e Vitit të Ri 2022 do t’i gjejë në apartamentet e tyre, të ndërtuara me standardet dhe firmën e arkitektit të njohur Stefano Boeri.
“Jam shumë entuziast, sepse jemi vetëm pak ditë larg. E gjithë kjo është në fakt një marrëdhënie besimi. Çfarë e dallon një familje që do të futet në shtëpinë e re për Vit të Ri, nga një tjetër që, për ideal të partisë vazhdon dhe proteston? Besimi! E para, beson te shteti, te qeveria, te kontraktorët, te rregullat që kemi vendosur në komunitet, te kjo sipërmarrje e jashtëzakonshme solidariteti; kurse dikush tjetër beson se po të luftojë në emër të partisë, të politizojë hallin e tij dhe ta përziejë me hallin e partisë do fitojë. Diferencën në një shoqëri e bën vetëm besimi,” u shpreh Veliaj.
Ai u ka bërë apel familjeve që ende nuk kanë nënshkruar kontratën me Bashkinë e Tiranës për të marrë apartamentin e ri nga Programi i Rindërtimit, të marrin shembullin e familjeve të para që firmosën dhe që tashmë pritet të gëzojnë shtëpinë e re.
“Thirrja për të gjithë njerëzit, për atë pakicë – pasi 80-90% tashmë kanë firmosur dhe do të hyjnë të parët në shtëpitë e reja – që vazhdon ende për ideal të partisë dhe mohon gjithë këtë kantier, mohon shtëpinë e vet e në vend që të vijë e të firmosë merret me karriget e bravat e SHQUP-it, ftesa ime është: “Merru me bravat e karriget e shtëpisë tënde se janë më të rëndësishme sesa bravat e karriget e atyre te SHQUP-i,” u shpreh kreu i Bashkisë.
Kryebashkiaku deklaroi se lagjja e “5 Majit” është shndërruar në një prej arterieve kryesore lidhëse të dy prej zonave më të mëdha ekonomike.
“Nëse më përpara, me të drejtë, kjo zonë konsiderohej ‘xhep’, ky ishte fundi i Tiranës, ishte lumi, Kamza ishte nga ana tjetër, por s’kishte asnjë mënyrë daljeje, tani do të bëhet porta hyrëse veriore e qytetit. Në dallim nga Bulevardi i Ri, që ka ende sheshin qendror për të cilin jemi duke punuar, këtu do ndërtohet ura dhe menjëherë do futesh nga Kamza në Tiranë. Ne duam ta kthejmë “5 Majin” në një shëtitore, duam të investojmë edhe me trotuare, me pastrimin anash – sigurisht aktiviteti tregtar do të vijojë, por ama të ketë një qarkullim, i cili e kthen këtë nga një xhep të vdekur, rrugë pa krye, në një arterie ekonomike për Tiranën, që lidh dy qendrat ndoshta nga më të fortat ekonomike të vendit, që është Tirana dhe Kamza. 50% e ekonomisë së vendit janë këto dy bashki dhe për herë të parë po i lidhim në mënyrë organike dhe jo me ato urat e improvizuara, siç kemi në Babrru, apo në Kodër Kamëz,” deklaroi Veliaj.
Ai e mbylli fjalën e tij duke thënë se, fillimisht do jetë Bashkia e Tiranës ajo që do marrë përsipër administrimin e pallateve, derisa banorët të kenë mundësi të organizohen si komunitet për të zgjedhur administratorin e tyre. “Do ishte e pafalshme që ne të fillojmë historitë e vjetra të pallateve që lamë, ku secili improvizon, secili fillon e hollon kollonën kryesore, apo çan murin për të bërë një improvizim. Nuk do i lejojmë këto, sepse administrimi i mirë mban vlerën e pronës gjithmonë të lartë. Administrimi i keq apo i munguar e degradon të gjithën,” nënvizoi Veliaj.
/a.r