Statusi i Komunës së Tuzit, me shumicë shqiptare, mbetet i pazgjidhur si pasojë e miratimit të Ligjit mbi Organizimin Territorial në Parlamentin e Malit të Zi, ku Malësia parashikohet të jetë pjesë e kryeqytetit të Podgoricës dhe jo komunë e pavarur si të gjitha komunat tjera në Mal të Zi. Ky vendim i Parlamentit hasi në reagime të ndryshme në opinion. Përderisa disa parti shqiptare, që janë në koalicion me partinë e kryeministrit Gjukanoviç, e mbështesin këtë formë të vetëqeverisjes, partitë tjera dhe analistët shqiptarë e kundërshtojnë atë duke e cilësuar vendimin si të papranueshëm për shqiptarët në Malësi.