UEFA u ka dhënë fund dilemave se sa vota do t’i duhen Kosovës për pranim në Konfederatën Evropiane të Futbollit (UEFA), shkruan Koha Ditore. Në Federatën e Futbollit të Kosovës të martën nuk ishin të sigurt nëse për pranim në UEFA mjafton shumica e thjeshtë prej 50 për qind plus 1 votë, apo duhen më shumë vota, përkatësisht dy të tretat. Kjo gjë nuk është e sqaruar as në statutin e UEFA-s, në kapitullin ku flitet për anëtarësim në UEFA.
Por zyra për shtyp e UEFA-s të mërkurën në një përgjigje për gazetën ka bërë të ditur se Kosovës i mjafton shumica e thjeshtë e votave të kongresit për pranim në shtëpinë evropiane të futbollit.