Komisioni i ngritur më 11 dhjetor në Kuvendin e mbajtur në “Air Albania” depozitoi dje në gjykatë ndryshimet statutore të miratuara nga delegatët e PD-së.
Ndërkohë, Oerd Bylykbashi në një intervistë të dhënë për gazetën “Panorama”, u shpreh se nëse do të jetë e nevojshme, në gjykatë do të depozitohen edhe prova të tjera të nevojshme që vërtetojnë se ata që votuan shkarkimin e Bashës dhe ndryshimet statutore kanë qenë delegatë të PD-së. Më tej, deputeti i PD-së, njëkohësisht nënkryetar i Komisionit të Ligjeve, tha se delegatët që kanë votuar më 11 dhjetor kanë vendosur numrin e identifikimit dhe firmën, që faktojnë se kanë qenë ata të cilët kanë marrë pjesë në Kuvend.
Ndërkaq, ai e quan jolegjitim Kuvendin e thirrur nga Kryesia e PD-së me propozim të z. Basha. I pyetur nëse do të ketë dy PD nëse gjykata nuk do të regjistrojë Statutin e 11 dhjetorit, Bylykbashi u shpreh pa dhënë detaje se janë të gatshëm të marrin çdo hap të nevojshëm.
Si do të procedohet me procedurën e votimit më 18 dhjetor, kur është caktuar referendumi pas Kuvendit të 11 dhjetorit?
Më datë 18, me vendim të Kuvendit të PD-së, për herë të parë thërritet anëtarësia mbi bazën e statutit të ri me një instrument që fuqizon anëtarët, referendumin. Më 18 e gjithë anëtarësia do të ketë mundësi që të shprehet për të ratifikuar këtë vendim të Kuvendit të PD-së për të shkarkuar kryetarin – kompetencë e kuvendit, por Kuvendi, mbi bazën e Statutit të ri, vendosi t’ia kalojë edhe anëtarësisë. Është hera e parë që anëtarët kanë në dorë një fuqi kaq të madhe që të vendosin ata fatet e PD-së, qoftë kush janë organet, por qoftë edhe nëse organet nuk funksionojnë, të shprehen anëtarët. Të japin llogari organet përpara tyre, dhe nëse është e nevojshme, edhe t’i shkarkojnë.
Për të hyrë pak në teknikalitet, kemi dy palë. Z. Basha nuk e njeh Kuvendin e 11 dhjetorit, dhe po ashtu edhe referendumin e 18 dhjetorit. Ku do të zhvillohen proceset e votimit, në selitë e PD-së, në degët?
Nuk ka dy palë në Partinë Demokratike. Ka një Kuvend, që është një Kuvend i vetëm. Mund të ketë mbledhje të ndryshme. Në datë 11 nuk ka qenë një Kuvend i veçantë. Ishte mbledhja e Kuvendit. Basha nuk është palë. Basha është kryetari i shkarkuar. Dhe kryetari i PD-së është një nga organet në hierarki në varësi të Kuvendit. Kuvendi e ka pasur edhe në Statutin e mëparshëm të drejtën për ta shkarkuar. Tani e ka edhe anëtarësia. Përcaktimi në palë i Bashës është vetëm në faktin se kushdo që shkarkohet ka edhe të drejtën që të ankohet. Por vendimin e ka marrë Kuvendi.
Ai le t’i bëjë apel anëtarësisë dhe të shohim nëse ata binden nga demagogjia e Bashës që ka kapur nivele të skajshme. Më datë 18 anëtarësia do të ketë të drejtën të votojë. Ne do ta organizojmë në ambientet më të mira me akses dhe transparencën maksimale. Atje ku është mundësia, votimi do të organizohet në degët e PD-së, ndërsa në vendet e tjera, për shembull siç është rasti i Durrësit, ka qenë traditë që votimi bëhet në qendrën e qytetit, në Pallatin e Kulturës. Ajo që është shqetësuese është presioni i deputetit Basha, që nëpërmjet përdorimit të pushtetit dhe të vulës që nuk ekziston më, të kërcënojë dhe shkarkojë drejtues të strukturave të partisë bazë vetëm se nuk i qëndrojnë qëllimit të tij për të mbetur kryetar sa më gjatë të mundet. Këto sulme të Bashës e ngacmojnë më tepër anëtarësinë që atë dite të shprehen me votë.
A do të shkojë kjo çështje në gjykatë? PD ka depozituar Statutin së fundmi dhe tani edhe Statuti i 11 dhjetorit është depozituar në gjykatë?
Statuti i korrikut duhet të ishte regjistruar menjëherë. Edhe Statuti i vitit 2018 duhet të ishte regjistruar menjëherë, por Statuti i 2018-ës u regjistrua vetëm në korrik të këtij viti. Statuti i korrikut centralizonte pushtetet, shumë i keq. U votua pa kuorum. Sot ne kemi Statutin e 11 dhjetorit. Fakti që Basha nuk i ka regjistruar në kohë tregon se sa pak rëndësi i jep dokumentit themeltar të PD-së. Ne kemi depozituar sot Statutin në gjykatë. Ky Statut shfuqizon Statutin e 17 korrikut. Ky shfuqizohet.
Nëse nuk e regjistron gjykata?
Mosnjohja është me akt. Nuk ka asnjë vlerë statutore dhe politike mosnjohja për interes personal të Bashës dhe të enturazhit të tij. Nuk ka vlerë fare nëse ai nuk e njeh për interes personal. Gjykata ka rol vetëm të regjistrojë ndryshimet që marrin organet kompetente. Gjykata nuk do të regjistronte një Statut që miratohet nga kryetari, nga Këshilli Kombëtar apo nga Kryesia, por Statutin që miratohet nga Kuvendi e ka të padiskutueshme ta bëjë. Kuvendi u mblodh sipas Statutit. Ata janë verifikuar të gjithë nga Kuvendi, siç parashikohet në Statut. Është verifikuar prezenca e më shumë se gjysmës së anëtarëve, e për rrjedhojë, Gjykata mund ta kundërshtojë atë Statut dhe vendimet e marra mbi bazën e tij vetëm nëse Edi Rama, siç po kontrollon gjyqësorin, do t’i bëjë shërbimin e fundit mbi këtë çështje.
Bashkangjitur me Statutin që keni depozituar, keni bashkangjitur edhe emrat apo edhe firmat e atyre që kanë votuar?
Së pari, aty do të shkojë i gjithë dokumentacioni themelor, Statuti dhe vendimet e marra në këtë kuadër. Do të dërgohen sipas nevojës në momentin e nevojshëm të gjitha provat që vërtetojnë mbledhjen dhe prezencën e anëtarëve të Kuvendit. Jo vetëm që janë verifikuar delegatët në mënyrë unike secili me një dokument që kishte kod unik elektronik me të dhënat e tyre, por po këta delegatë që kanë ardhur, gjatë momentit të votimit kanë nënshkruar në listën e korpusit zgjedhor me firmën e tyre dhe kanë dhënë numrin e kartës së identitetit. Provat lidhen me njëra-tjetrën për të vërtetuar se aty kanë qenë delegatët dhe ata kanë ardhur fizikisht dhe kanë votuar. Janë prova që na shërbejnë në përputhe me Statutin, jo vetëm që në Kuvendin e korrikut nuk është bërë kurrë dhe janë ndjekur procedura të dyshimta dhe qesharake, por tani vendos një standard të padiskutueshëm, gjë që e bën të pamundur që edhe pse është i paligjshëm, nëse z. Basha do të mbledhë më datë 18 një numër personash për eventin që kërkon, ai s’mund të jetë Kuvend, sepse askush që ka votuar për shkarkimin e tij nuk do të shkojë. Do të jenë njerëz që s’kanë lidhje me partinë. Antikuvendi i Bashës nuk ka asnjë fuqi ligjore, por është në funksion të vrasjes së demokracisë.
Nëse gjykata nuk njeh Statutin e Kuvendit të 11 dhjetorit, a mund të kemi dy PD?
Të mos ecim me opsione teorike. Kuvendi ka marrë vendimet dhe gjykata ka për detyrë që të regjistrojë aktet dhe të respektojë demokracinë pa ndërhyrë në demokracinë partiake, që është shumë e rrezikshme. Jo më kot ligji për partitë s’i ka dhënë kompetenca shtetit dhe gjykatës më shumë sesa regjistrimi dhe sigurisht që jemi të gatshëm që të marrim të gjitha hapat e nevojshëm për të vendosur në vend elementin thelbësor; në demokraci vendosin anëtarët e partisë, vendos shumica, çdo gjë tjetër është koncept oligarkik. Ne, siç po luftojmë kundër Edi Ramës, do të luftojmë ndaj kujtdo individi që mendon që partinë e ka në shërbim të tij për të qëndruar ai edhe 10 vite të tjera si kryetar partie.
Cilët mund të jenë hapat e tjerë?
Çdo gjë sipas radhës, por për momentin ne presim që gjykata të bëjë atë që ka bërë gjithmonë. Të regjistrojë edhe Statutin e korrikut, edhe këtë që shfuqizon atë të korrikut dhe më pas vazhdon jeta politike e PD-së. Objektivi ynë nuk është të merremi me një individ deputet. Ne do të bëhemi gati për përballjet e mëdha me Edi Ramën./ Panorama.com.al/
/b.h