Kun Aguero është ngjitur në skenë i emocionuar dhe shumë i trishtuar. Argjentinasi nuk ka mbajtur lotët dhe i janë dashur disa minuta të merrte veten pasi nuk ishte në gjendje të fliste.
“Kam ardhur këtu për të thënë se do të heq dorë përfundimisht nga futbolli.
Ky është një vendim shumë i vështirë për mua dhe nuk e kam menduar kurrë se do të arrija në këtë pikë, ku gjithçka që kam dashur që kur kam qënë i vogël të më zhduket kështu në këtë mënyrë.
Është një kohë shumë e vështirë, por gjithsesi jam shumë i lumtur. Gjëja e parë është shëndeti im, e dini pse e mora këtë vendim. Është për shkak të problemit që pata një muaj më parë. Isha në duart e mira të mjekëve, të cilët më thanë se ishte për të mirën. Vendimin e mora 10 ditë më parë. Bëra të pamundurën për të parë nëse kishte ndonjë shpresë, por nuk kishte shumë.
Ëndrra ime ishte të luaja në Kategorinë e Parë dhe nuk e kisha menduar kurrë se do të shkoja në Evropë. Dua të falënderoj Independiente, Atlético de Madrid, Manchester City dhe Barcelona. Të gjithë më kanë trajtuar shumë mirë. Dhe, qartë, për Kombëtaren e Argjentinës, e cila është ajo që unë dua.
Bëra gjithçka për të fituar. Faleminderit kolegëve të mi që më ndihmuan me këtë. Nuk e di se çfarë do të më presë në jetën tjetër, por e di që kam shumë njerëz që më duan dhe që duan më të mirën për mua. Dua të falënderoj edhe gazetarët, ata që më trajtuan mirë dhe ata që më kritikuan. Faleminderit të gjithëve, më kanë mbetur shumë gjëra të bukura”.