Lajmi për arrestimin e ish-ministrit Lefter Koka po bën xhiron e mediave të huaja.
Agjencia Associated Press shkruan se ai akuzohet për një ryshfet prej 4.1 milion dollarësh.
Sipas AP, Koka rrezikon deri në 12 vite burg nëse dënohet.
“Koka rrezikon deri në 12 vjet burg nëse shpallet fajtor. Korrupsioni ka ndikuar fuqishëm në zhvillimin demokratik, ekonomik dhe social të Shqipërisë postkomuniste”, shkruhet në artikullin e AP.
Ish-ministri i Mjedisit Lefter Koka u vu në pranga ditën e djeshme bashkë me dy persona të tjerë pasi akuzohet për shpërdorim detyre, pastrim parash dhe korrupsion.
Koka është arrestuar me urdhër të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) që mban firmën e prokurorit Klodian Braho e gjyqtarit Erion Bani.
Në pranga kanë përfunduar edhe dy persona të tjerë që akuzohen si bashkëpunëtorë në këtë skemë korrupsioni, të identifikuar me inicialet K.Z. dhe S.B..
Mbi të gjithë rëndon kryerja e 4 veprave penale: “Shpërdorimi i detyrës”, “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale apo i veprimtarisë kriminale”.
/Dita/ a.r