Josef Hejcek, ish-shefi i CEZ-it në Shqipëri, ka pasur komunikim direkt me Kastriot Ismailajn, të akuzuar nga Prokuroria për vjedhjen e 4.5 milionë eurove me mbledhjen e borxheve të energjisë elektrike, shkruan gazeta Panorama.
Në dhjetor 2015, Prokuroria e Tiranës dorëzoi në gjykatë dosjen penale ndaj Kastriot Ismailajt, me akuzat e “mashtrimit” me pasoja të rënda dhe “pastrimit të produkteve të veprës penale”.
Në dosjen e dorëzuar në Gjykatë, ndodhen edhe email-et dhe mesazhet që kanë shkëmbyer mes tyre Josef Hejcek, ish-kreu i CEZ dhe biznesmeni Ismailaj. Komunikimet kanë ndodhur para lidhjes së kontratave të CEZ-it me kompaninë DIA të Kastriot Ismailajt, me qëllim mbledhjen e faturave të pashlyera të energjisë elektrike.
Me këto kontrata të nënshkruara në vitet 2010-2012, sipas Prokurorisë, Kastriot Ismailaj përfitoi pa bërë asnjë punë plot 512 milionë lekë të rinj ose rreth 4.5 milionë euro. Pasi shumat në fjalë u hodhën në llogaritë e tij, Ismailaj i transferoi ato jashtë Shqipërisë, ndërsa një sasi të vogël i tërhoqi dorazi këtu në Shqipëri.
KOMUNIKIMI
Më 7 maj të vitit 2010, kunati i biznesmenit Kastriot Ismailaj i dërgon një email shefit të CEZ-it, Josef Hejcek, ku i prezanton kompaninë që do të lidhte kontratën për mbledhjen e borxheve. Emaili dërgohet “me porosi” të Ismailajt në adresën e Hejcek, por sipas prokurorisë, gjithë informacioni i nisur është i rremë.
Pavarësisht kësaj, Hejcek dhe Ismailaj vazhdojnë procedurat dhe më 1 shtator 2010 firmosin marrëveshjen, e cila nuk miratohet nga Komiteti Ekzekutiv i CEZ-it. “Pavarësisht mosmiratimit të marrëveshjes, në të njëjtën kohë, pra më datë 25.11.2010, shoqëria DIA ka lëshuar dy fatura në vlerën afërsisht 1.000.000 euro, dhe më pas faturën me vlerën 500.000 euro, fatura të cilat janë paguar në llogaritë e shoqërisë.
Pagesa është kryer nga CEZ në llogarinë e Ismailajt, siç kishte kërkuar ky i fundit, ndërkohë që pas dorëzimit të parave, Josef Hejcek, për të justifikuar pagesën prej 1.5 milion eurosh të bërë për shoqërinë DIA, ka kërkuar disa herë nga DIA që të kryente procesin e identifikimit të debitorëve me qëllim pastrimin e sistemit të saj nga të dhënat e pasakta.
Këtë e ka bërë me email-in e datës 13 dhjetor 2010. Më pas, më 18 janar 2011, një zyrtar i CEZ-it i shkruan zyrës së Kastriot Ismailajt, duke u shprehur në email se megjithëse CEZ bëri pagesat e kërkuara nga DIA, kjo e fundit nuk e pastroi databazën e borxhlinjve dhe të debitorëve të CEZ-it.
MASHTRIMI
Me anë të paraqitjes së email-it të janarit 2011 si provë në gjyq, Prokuroria thekson se shoqëria “DIA” nuk e ka kryer këtë proces pune dhe dokumenti i dorëzuar në CEZ është tërësisht fiktiv. “Nga email-i rezulton qartë se dokumenti i dorëzuar duhej thjesht për të justifikuar faturat tashmë të paguara”, ka theksuar Prokuroria.
Sipas saj, në dokumentacionin e paraqitur si DIR thuhet ndër të tjera: “Procesi i identifikimit filloi më 1 shtator 2010 dhe DIA angazhoi më shumë se 360 persona nëpërmjet 40 agjencive në Shqipëri që të kryhej verifikimi derë më derë”. Por nga hetimi, me të dhëna të marra nga Tatimet, rezulton që numri maksimal i punonjësve që ka pasur kjo shoqëri ka qenë 122 persona.
Madje, kjo punë pretendohet të ketë filluar që më 1 shtator, ku i vetmi i punësuar në këtë shoqëri, në këtë periudhë, ka qenë shtetasi Kastriot Ismailaj.