Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha e komentoi shumë shkurt takimin e sotëm me ambasadorët e huaj në selinë blu. Teksa dha një deklaratë për arrestimin e Lefter Kokës, Basha u pyet nga gazetarët edhe për fokusin e takimit të sotëm me ambasadorët në selinë blu, mëngjesin e kësaj të marte.
Basha nuk u zgjat shumë, ndërsa tha se takimi ishte për atë që ndodhi dje, ku Sali Berisha u fut në seli me mbështetësit, por edhe për të sotmen dhe të ardhmen, siç e përkufizoi kryedemokrati.
“Takimi i sotëm me ambasadorët ishte për të djeshmen, të sotmen dhe të ardhmen”, deklaroi Basha.
Sakaq, lidhur me arrestimin e ish-Ministrit të Mjedisit, kreu i demokratëve tha se veprimi i sotëm nga SPAK është një hap i mirë, por nuk duhet të mjaftohet me kaq. Basha kërkoi që drejtësia të shkojë te “kokat” e kësaj afere.
“Kjo betejë do të vazhdojë. Drejtësi2ë i kërkoj të veprojë, duke filluar nga kokat. Pavarësisht nga gjithë kjo, PD, deputetët në komisionin e hetimit do të vazhdojnë betejën tonë për zbardhjen e kësaj afere.
E dini fare mirë që kjo nuk ka sjellë asnjë cilësi më të mirë ajri, përkundrazi ka sjellë ndotje më të mëdha. Nuk mund të mos e shpreh që ky hap i parë i ndërmarrë sot është i mirëpritur por dua ta them qartë se pa shkuar te peshqit e mëdhenj gjithçka do të mbetet një farsë. E nxis drejtësinë në këtë ditë të mos ndalet me kaq. Të shkohet menjëherë të aktorët”, tha Basha.
/b.h