Nga Jakin Marena
Situata është tepër e rëndë në PD. Të mos bëhet sikur nuk ka ndodhur asgjë në partinë më të madhe opozitare, lidershipi i së cilës tashmë është pozicionuar në dy llogore përballë njëra tjetrës.
Kuvendi Kombëtar i thirrur nga Sali Berisha më 11 dhjetor, duam apo nuk duam ne tregoi se ishte një mbështetje e fortë për të, veç të tjerave shkarkoi Lulzim Bashën nga posti i kryetarit të PD, shkriu kryesinë e partisë e sekretariatin, dhe ngriti një grup rithemelimi të PD prej 29 vetash të udhëhequr nga kreu i FRPD, Belind Këlliçi.
Ky komision sipas mbështetësve të Berishës merr në dorë drejtimin e partisë deri më 22 mars 2022 kur të zhvillohet kongresi zgjedhor për strukturat e drejtuese të PD. Ndërsa më 18 dhjetor, pikërisht ditën e thirrjes së Kuvendit të PD nga Lulzim Basha, Kuvendi i Berishës ka vendosur që në mbështetje të nenit 43 të statutit më 18 dhjetor, vendimi për shkarkimin e kryetarit të dalë nga Kuvendi i 11 dhjetorit, të hidhet në referendum në çdo degë të Partisë Demokratike.
Nga ana tjetër e “llogores” politike të PD, Lulzim Basha dhe mbështetësit e tij kanë mbledhur kryesinë dhe Këshillin Kombëtar, kur me votim të fshehtë kanë vendosur shkarkimin e kryetarit të këtij këshilli, Edi Paloka, disa sekretarëve dhe anëtarëve të kryesisë së PD. Me të njejtin nen, të dy palët shkarkojnë njëra tjetrën, duke e futur PD në një rreth vicioz, fundi i të cilit ende nuk dihet.
Deri më tani dakordësi të dyja palët e mbërthyer në konfliktin pa kthim në PD kanë gjetur vetëm për rojen e selisë, Papin e famshëm, që ka një jetë në këtë detyrë dhe nuk është prekur nga asnjë “reformë” në këtë parti. Mbetet i respektuar dhe nga gazetarët, madje më shumë se shefat e tij.
Për t’iu rikthyer dhe njëherë përplasjes së fortë në PD, e cila ka nisur që në momentin kur Basha përmes një videoje të zbardhur në kryesinë e grupit parlamentar të PD u komunikoi vendimin personal për përjashtimin e Berishës nga grupi i PD, ajo që mund të themi është se nuk duhet të flasim si duhet të jetë normaliteti në këtë parti, por si është gjendja aktualë e si gjendet zgjidhja.
Dikush mund të thotë se Sali Berisha ka të gjithë të drejtën e Zotit të marrë në dorë drejtimin e partisë pasi ka mbështetjen e bazës. Të cilën realisht e ka, etiketojë si të duash anti-amerikane, anti-europiane, anti-marsiane. Atë anëtarësi ka, duan Berishën dhe pikë. Çmenduri është, por me sa duket dashuria në të gjithë “sektorët” është një çmenduri e nuk përshkohet aspak nga logjika e ftohtë. Eshte gabim të mbështet një person “non grata” në SHBA, këtu ndajmë të njejtin mendim.
Problemi tjetër është se Basha është zgjedhur para disa muajsh, ka në dorë strukturat drejtuese, pra burokracinë e PD, ka dhe vulën dhe çelësat e selisë së PD. Dhe secila palë pretendon se ka të drejtën e drejtimit të partisë, Basha nën pretendimin se nuk lejon celula anti-amerikane në PD, ndërsa Berisha pretendon se është pro Amerikës, por se disa zyrtarë të saj e kanë akuzuar dhe shpallur “non grata” padrejtësisht, pasi nuk ka asnjë akuzë të saktësuar ne organet shqiptare të dejtësisë, nuk ka asnjë provë dhe për këtë ka hedhur në gjyq në Paris, Sekretarin Amerikan të Shtetit Antony Blinken. Pra të dyja palët në PD pretendojnë drejtësinë e legjitimitetin e drejtimit.
Zyrtarët e lartë amerikanë, përfshirë dhe ambasadoren e SHBA në Tiranë Yuri Kim e kanë bërë të qartë se PD duhet të ndahet nga e kaluara njëherë e mirë, ndërkohë që janë kundër drejtimit të PD nga Berisha. Merret si mbështetje për Bashën dhe është e drejtë kjo, pasi mes një personi që qeveria e vendit tënd e ka shpallur “non grata” dhe një personi që nuk e ka një etiketim të tillë, ky i fundit do të jetë zgjidhja më e mirë.
Të ishte për shqiptarët, jo vetëm Sali Berisha por dhe Lulzim Basha dhe shumë zyrtarë të tjerë, nga të gjitha krahët politikë, duheshin të shpalleshin “non grata” për zullumet që kanë bërë në këtë vend në 30 vite në qeverisjes, me radhë dhe sa herë u është dhënë mundësia.
Por meqë jemi te PD dhe tek Berisha dhe Basha, ajo që mund të themi është se pjesën më të madhe të maskarallëqeve në 8 vitet e qeverisjes së dytë i kanë bërë bashkë. Aq sa është ë vështirë të dallosh se ku fillon implikimi në korrupsion i njërit dhe ku përfundon i tjetrit. Kanë qënë si enëet komunikuese, kuptohet, Berisha urdhëruesi dhe Basha zbatuesi perfekt, pa u menduar fare.
Madje Basha ka kaluar dhe në “karuselin” amerikan të drejtësisë për paratë ruse të lobimit në SHBA në vitin 2017. I ishte mbushur mendja se të bësh një foto me Donald Trump të vjen fitorja në zgjedhje përballë Ramës, pra automatikisht nga qielli. Ashtu sikurse i është mbushur mendja dhe sot se me “filat e kazermës” në selinë e PD mund të fitojë partinë përballë Berishës, i cili ka “ushtarët e terrenit”, apo më shumë akoma të fitojë zgjedhjet përballë Edi Ramës që e ka të konsoliduar mbështetjen me mbi 800 mijë vota në çdo palë zgjedhje, një numër i vështirë për t’u tejkaluar në këtë ku gjendet opozita.
Berisha nga ana tjetër duke i shpallur luftë SHBA dhe institucioneve të saj, si të kapura sipas tij nga Soros mendon të mundë Ramën, pasi Bashën e quan se e ka mundur tashmë, pavarësisht se deri më tani asnjë parti anti-amerikane e radikale në Europë e më gjërë nuk ka ardhur në pushtet.
Por situata degjeneron akoma më shumë, teksa sot të dyja palët “përplasen” në selinë e PD, duke zënë nga një zyrë dhe duke bërë mbledhje me mbështetësit e vet. Pa harruar të akuzojnë njëri tjetrin deri në pafundësi, për 21 janarin, Rrugën e Kombit dhe për “Tayota Yaris” e lobimin me para ruse në SHBA. Duke mos lënë hapësirë për njëri tjetrin.
Në këtë kushte në mendje të vjen vetëvetiu pyetja: A ka mbetur ndonjë zgjidhje në PD, tashmë që situata është në zgrip dhe duke qënë se partia është frymë dhe kjo frymë të sjell në pushtet, nevoja për kompromis mes palëve është emergjencë?!
Në pamje të parë duket sikur palët janë mbërthyer në një konflikt për jetë a vdekje. Berisha e ka për hallin e tij personal në radhë të parë, por dhe për shkak se është sfiduar pikërisht nga Basha, njeriu që për 16 vite e ka mbështetur pa kufi, duke emëruar ministër e gjithçka sa ishte në pushtet dhe kryetar të PD në opozitë për 8 viteve, megjithëse ka shënuar humbje në zgjedhje si asnjë lider tjetër politik, pa shënuar asnjë fitore përballë rivalit politik.
Por dhe Basha ka hallin e tij, pasi del përfundimisht nga politika, duke hequr dorë përfundimisht nga posti i kryeministrit, megjithëse për 8 vite e synoi një post të tillë. Post që nëse nuk ka mbështetje poshtë në bazën e PD, dhe më tej tek elektorati gri, nuk e merr sikur të bashkohen bashkë Amerika, Europa dhe Azia. Kur nuk ngjit nuk ngjit, dhe gjërat s’bëhen me zor.
Për fatin e mirë, në të dy grupimet në PD, përtej Berishës dhe Bashës, ka politikanë që mund të gjejnë gjuhën e përbashkët dhe të arrijnë zgjidhjen e dëshiruar në këtë parti, pa sjellë ndarjen e saj në dy pjesë dhe për më tepër duke mbajtur “tubin e oksigjenit” me SHBA.
Duke shfrytëzuar dhe faktin se të gjitha palët bien dakord se nëse fiksohet në statut që kryetari i PD nuk duhet të jetë me deomos kryeministër, por mund të zgjidhet me “primare”, Berisha e ka miratuar në Kuvendin e tij por dhe pjesa e mbështetësve të Bashës s’janë kundër atëherë zgjidhja është krijimi i një grupi të përbashkët nismëtar për rithemelimin e PD. Të jetë dhe me 58 anëtarë, një komision bipartizan, dhe drejtimi të jetë nga dy bashkryetarë.
Berisha e ka zgjedhur të vetin, kreun e FRD Belind Këlliçi, i shkolluar ekselent në universitetet më të mira amerikane, “vizitor” periodik në ambasadën amerikane dhe i preferuar ndoshta dhe nga vetë amerikanët.
Dhe grupi i Bashës të gjejë një njeri të këtij kalibri, që të drejtojnë reformimin apo rithemelimin e PD, duke pasur në Komision si Berishën ashtu dhe Bashën, por me vendimin e prerë që asnjëri prej tyre të mos garojë për kreun e PD. Mund të qëndrojnë në shpresën se sipas “primareve” të jenë dhe ata kandidatë potencialë për kryeministër nëse opozita fiton zgjedhjet e vjen në pushtet. Por të mbeten bashkë të gjithë, me Berishën e Bashën të distancuar dhe pa rol, të reformojnë PD dhe dhe të fitojnë zgjedhjet njëherë. Posti i kryeministrit duket shumë larg në këtë situatë. Nuk ia morën dot Ramës kur ishin si “mish e thua” të dy bashkë, jo më në këtë derenxhe ku është katandisur PD dhe opozita.
Pra zgjidhja e vetme është komisioni i përbashkët i rithemelimit, caktimi i një date për zgjedhjen e një kryetari të PD përmes “një anëtari një votë”, sëpaku me një kandidat nga grupi i Berishës me referenca të forta pro amerikane dhe kandidati tjetër nga grupi i Bashës me referenca po të forta pro-amerikane. Mund të ketë dhe garues të tjerë për t’i dhënë ngjyra më të larmishme garës, por në asnjë rast Berisha dhe Basha nuk duhet të jenë pjesë e kësaj gare. Këta s’bëhen më me njëri tjetrin, duhet të ikin nga lidershipi i partisë!
Berisha me sa duket është tërhequr, tjetër se ka deklaruar deri më tani, duke pretenduar se do të bëhet menjëherë dhe kryeministër. Duket se “stafetën” e dorëzoi që në Kuvendin e 11 dhjetorit. Të njejtën gjë të bëjë dhe Basha e të nisë procesi i dialogut, pajtimit të palëve në PD e zgjidhjes dalëngadalë të krizës, duke mos e lënë PD-në në dorë të zgjidhjeve të rastësishme që mund të sjellin dhe shkrirjen në fund të kësaj partie.
Pasi zgjedhjet janë në prag, dhe demokratët përtej “dashurive” për liderët kanë një “dashuri” të thellë me atë që i sjell në pushtet. Jemi në Shqipëri, dhe akoma njerëzit luftojnë për punësim në shtet. Nëse provojnë dhe 4 vite të tjera në opozitë, pra 16 vite jashtë pushtetit, gjasat janë shumë të mëdha dhe thuajse të sigurta, atëherë demokratët do të kërkojnë këdo “qelbësirë” ti udhëheqë vetëm t’i rikthejë në pushtet. Ose do të lëvizin në formacione të tjera politike dhe të lënë vetëm muret e selisë së PD dhe burokratët e saj nën shoqërinë e njëri tjetrit.
Nuk ngurrojmë t’a përsërisim që PD të ndjekë shembullin e dy partive më të mëdha në Kosovë, PDK dhe LDK që zgjodhen kryetarë 35-36 vjeçarët Memli Krasniqi dhe Lumir Abdixhiku, të cilët vetëm në pak muaj rikthyen me “këmbë në tokë” Albin Kurtin e Vetëvendosjen duke ia “firuar” më shumë e se gjysmën e votave.
Koha nuk pret, dhe s’ka nevojë për Kuvende për t’i treguar “muskujt” njëri tjetrit apo vënien në përdorim të institucioneve përjashtuese. Më mirë vonë se kurrë, vetëm se gjithçka duhet bërë pa Berishën e Bashën brenda. Ndryshe nuk ka asnjë zgjidhje!