Kryeministri Edi Rama e ka nisur mëngjesin e sotëm me një video sensibilizuese ku një grup të rinjsh i bëjnë thirrje bashkëmoshatarëve të vaksinohen.
“Dua të ndihem sërish e sigurt. Të jetoj i lirë. Pa kufizime! Të bëjë gjërat që dua, të dal pa frikën se mund të infektoj prindërit. Dua të festoj me familjen. Unë zgjedh të vaksinohem! Të mbroj veten, miqtë, familjen dhe jetën.”, thuhet në video, ndërsa një familje shfaqet duke festuar krah njëri tjetrit.
Kryeministri përmes një postimi në rrjetin e tij social Facebook, shkruan se këta të rinj i besojnë vaksinimit si një mënyrë për të mbrojtur veten, familjen dhe të tjerët nga virusi i rrezikshëm, i cili merr përditë jetë njerëzore.
“Mirëmëngjesi dhe me këtë ftesë të të rinjve për bashkëmoshatarët e tyre, që t’i besojnë shkencës e t’u drejtohen pikave të vaksinimit, si e vetmja mënyrë për të mbrojtur veten, familjen dhe të tjerët nga virusi i rrezikshëm, i cili merr përditë jetë njerëzore, ju uroj një javë të mbarë.”, shkruan ai.
Pandemia e COVID-19 nuk njeh moshë, koha ka treguar se të rrezikuar ndaj virusin janë edhe të rinjtë. Për shkak të shfaqjes së variantit delta dhe omicron, shifrat e infektimeve dhe viktimave nga virusi janë rritur në të gjithë botën dhe e vetmja mënyrë për t’i dhënë fund pandemisë është vaksina.