Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri ka shkruar në llogarinë e tij në Facebook pas një shkrimi të zëvendëskryeministrit Thaçi i cili tha opozita nëpërmes protestave po synon pushtetin dhe po i organizon ato mu në kohën kur po pritet liberalizimi i vizave. Ymeri i është kundërvu duke thënë se zëvendëskryeministri Thaçi ka shkruar një hartim ku si zakonisht kërcënon opozitën. Ai më tej ka thënë se Thaçi është pretendent për president dhe po përpiqet të zvogëlojë sadopak protestat gjithëpopullore që do nisin në 9 janar, e që do të vazhdojnë, sipas tij, deri në largimin e këtij pushteti të papërgjegjshëm, transmeton Koha.net.
“Hashim Thaçi i cili kritikon opozitën se kinse po vepron “për pushtet” harron që ai vetë “u nominua” për president njësoj si personazhet e Big Brother-it, pasi nënshkroi një marrëveshje të fëlliqur të ndarjes së pushtetit me aleatët e tij, Isa Mustafën edhe Listën Srpska, bashkë me të cilët ai krijoi Qeverinë e Rashkës. Për pushtetin e presidentit, pra për post e për pozitë, ai themeloi një Qeveri që ka punuar vetëm për Serbinë në Kosovë, e kundër Kosovës si republikë e qytetarëve të saj”, ka thënë Ymeri, duke shtuar se kjo qeveri nuk ka sjellë asnjë investim të ri në ekonomi, infrastrukturë, bujqësi, shkolla e spitale.