Presidenti Ilir Meta mesditën e kësaj të diele ka reaguar në lidhje me situatën e krijuar si pasojë e përmbytjeve nga reshjet e dendura që kanë përfshirë vendin tonë gjatë orëve të fundit.
Meta është shprehur se më shqetësuese situata është në Fier ku në fshatin Ferras janë evakuuar 15 familje dhe në Novoselë.
Kreu i shtetit bën thirrje të gjithë institucioneve që të qëndrojnë në gatishmëri dhe të sigurojnë jetën e qytetarëve dhe të mbrojnë shkatërrimin e pronës.
“Jam duke ndjekur me vëmendje të veçantë situatën kritike të krijuar, si pasojë e motit të keq dhe masat që po merren për tejkalimin e saj në disa zona të përmbytura dhe të bllokura nga reshjet e borës.
Jam informuar se situata paraqitet më problematike në Qarkut e Fierit, sidomos në njësinë administrative Levan, fshatin Ferras, ku janë evakuuar 15 familje dhe qindra hektarë tokë bujqësore, ndodhen nën ujë.
Përmbytje të shumta ka edhe në Qarkun e Vlorës, sidomos në zonën e Mifolit ku sipërfaqja e përmbytur e tokës bujqësore i kalon mbi 1200 hektarë, ndërkohë që shumë fshatra në Lumin e Vlorës rezultojnë të izoluara.
Gjithashtu në Veri, Veri-Lindje dhe Jug-Lindje të vendit shumë zona rezultojnë sot të bllokuara nga reshjet e shumta të borës.
Problematik është fakti se ashtu si në të kaluarën, autoritetet e Mbrojtjes Civile dhe Prefekturat nuk e kanë njoftuar më herët popullatën në zonat me risk të lartë, lidhur me parashikimin e hershëm sipas IGJEUM, që prej ditesh ka njoftuar autoritetet shtetërore në lidhje me parashikimin e motit.
Duke u solidarizuar me banorët e prekur nga pasojat e motit të keq, u bëj thirrje të gjithë institucioneve përgjegjëse shtetërore të angazhohen maksimalisht për sigurinë e jetës dhe të pronës”, shkruan Meta.
/b.h