Një punonjës i policisë së Kukësit me detyrë inspektor është arrestuar nga Shërbimi i Çështjeve të Brendshme dhe Ankesave në Fier, si i dyshuar për përfshirjen në aktivitetin e paligjshëm të trafikut të klandestinëve.
Inspektori me inicialet Y. L., si dhe shtetasi me inicialet I. Ç., u arrestuan në flagrancë duke transportuar 9 shtetas sirianë në aksin Fratar-Fier.
Materialet në ngarkim të tyre i kaluan prokurorisë së Fierit për veprime të mëtejshme.
“Më datë 10.12.2021, Drejtoria Rajonale e SHÇBA Fier arrestoi në flagrancë punonjësin e policisë me detyrë në Drejtorinë Vendore të Policisë Kukës, Inspektor Y. L. dhe shtetasin I. Ç., të dyshuar për kryerjen e veprave penale “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Dhënie ndihme për kalim të kufirit kundrejt përfitimit të paligjshëm, në bashkëpunim”
Në bashkëpunim me njëri-tjetrin, këta shtetas janë kapur në flagrancë duke transportuar 9 shtetas të huaj sirianë, ndërsa drejtonin dy automjete në aksin rrugor Fratar-Fier.
Materialet hetimore u referuan në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier, për veprat penale të parashikuara nga nenet 248 dhe 298/2 e 25 të Kodit Penal.
SHÇBA fton qytetarët të denoncojnë çdo rast të abuzimit apo shkeljes së ligjit nga ana e punonjësve të Policisë së Shtetit duke telefonuar në numrin e gjelbër 0800 90 90”, thuhet në njoftimin e ShÇBA.
g.kosovari