Nga Jakin Marena
Mesazhet amerikane për politikën shqiptare nuk rreshtin, duke evidentuar qartë dhe saktë se korrupsioni dhe minimi i demokracisë janë dy armiqtë kryesorë për Shqipërinë në rrugën e saj drejt integrimit në BE dhe progresit.
Deklaratat e presidentit amerikan Joe Biden dhe të sekretarit Amerikan të Shtetit Antony Blinken përcillen me shpejtësi nga ana e ambasadës amerikane në Tiranë, të shoqëruara dhe me mesazhin aktualizues për vendin tonë.
Njëherësh bashkë me ta përcillet dhe paralajmërimi se do të ketë bllokim të aseteve të të korruptuarve të veshur me pushtet ose që kanë qënë në pushtet dhe kanë vënë pasurinë mënyrë abuzive, duke vënë dorë mbi paratë e taksapaguesve shqiptarë.
“Këmbora bie për ata që kanë veshë” thotë një fjalë e urtë popullore shqiptare, ndërkohë që shqiptarët e dinë se për kë janë këto mesazhe të forta, pavarësisht se vetë të “shënjuarit” bëjnë sikur nuk kuptojnë asgjë dhe vazhdojnë të sillen sikur s’ka asnjë lidhje me ta.
Korrupsioni pa emra është një nocion abstrakt, i përgjithshëm dhe nëse nuk i vihet “etiketa” atëherë lufta kundër tij mbetet në kuadrin e utopisë, ose më mirë të themi nuk bëhet kurrë, sikurse ka ndodhur deri më tani.
Fakti që kurrë nuk është guxuar të përmenden emra, jo më të dërgohen para drejtësisë, ka sjellë dhe situatën në të cilën ndodhemi tani, kur asnjë prej këtyre të korruptuarve të niveleve të larta nuk është hetuar, jo më të jetë gjykuar apo dënuar.
Ndaj aleatët tanë të mëdhenj, SHBA e BE, e kanë përsëritur deri në infinit faktin se në Shqipëri duhet të marrë fund njëherë e mirë pandëshkueshmëria e zyrtarëve të lartë që kanë abuzuar me pushtetin në 30 vite.
Për këtë arsye ata kanë mbështetur dhe financuar ngritjen e drejtësisë së re në këtë vend, e cila ngadalë por me vendosmëri ka nisur të “afrohet” pranë piramidës politike, për t’i vënë ata përballë drejtësisë dhe për të dhënë llogari për të gjitha zullumet që kanë kryer në këto 30 vite post-komunizëm.
Për fatin e mirë të shqiptarëve në këto 100 vite dhe më fort në 15 vitet e fundit Zoti ka qëlluar me fytyrë nga ne, dhe aleati ynë i madh strategjik SHBA ka qënë mbështetësi ynë kryesor në rrugën drejt ringritjes dhe prosperitetit të vendit.
Madje për fatin tonë të mirë interesat e SHBA kanë qënë tërësisht të përputhura me interesat tona, duke u dhënë shqiptarëve vendin e duhur dhe që u takon në rajonin e Ballkanit dhe duke na përzgjedhur si aleatë të sigurtë e të vazhdueshëm në këtë rajon të trazuar sa nga mendësia tërësisht ballkanike e jona si “fuqi baruti” aq dhe nga përplasja e interesave të Rusisë në rajon, që ka përfituar mjaft nga kjo mendësi.
Për këtë arsye investimi amerikan në Shqipëri për ngritjen e demokracisë, luftën kundër korrupsionit dhe zhvillimin ekonomik ka qënë i drejtëpërdrejtë dhe në mënyrë të vazhdueshme.
Mesazhet amerikane për ndarjen nga kaluara dhe orientimin nga e ardhmja kanë qënë herë “shqeto”, kujtojmë deklaratën e ambasadores Yuri Kim për zhvillimet brenda PD, duke paralajmëruar se nëse do drejtohet nga Berisha, atëherë bashkëpunimi me këtë parti ndërpritet.
Një deklaratë e tillë ka ardhur dhe nga Uashiungtoni e përsëritur, ndërkohë që pas shpalljes “non grata” dhe përjashtimit të tij nga grupi parlamentar të PD, Sali Berisha ka nisur një fushatë për rrëzimin e Lulzim Bashës nga posti, përmes foltoreve në të gjithë vendin, të cilat kulmojnë në Kuvendin e thirrur me 4200 firma më 11 dhjetor, në stadiumin kombëtar “Air Albania”.
Pavarësisht se është i shpallur “non grata” nga SHBA per korrupsion te theksuar, minim te demokracisë dhe presion mbi drejtësinë, i izoluar nga të gjithë, duke filluar nga amerikanët ashtu dhe vendet e BE dhe që ka kohë që e ka harruar “shijen” e takimeve me diplomatë të huaj, Berisha këmbëngul në vendimin e tij për të larguar Bashën dhe marrë vetë drejtimin e PD. Ka inat të madh me Bashën, e quan investim 16 vjeçar të shkuar dëm.
Pra mesazhet e SHBA për politikanë të caktuar në Shqipëri janë dhënë dhe përmes deklaratave të drejtëpërdrejta por dhe përmes lënies jashtë axhendës së takimeve, kur Shqipërinë e kanë vizituar politikanë të nivelit të lartë të vendit më demokratik në botë.
Në fillim ishte Reeker ai që nuk takoi as ish kryeministrin Sali Berisha dhe as Presidentin aktual Ilir Meta, në vizitën e zhvilluar para disa kohëve në Shqipëri. Ishte një shmangie totale dhe zyrtari i lartë amerikan nuk gjeti asnjë sekondë kohë për t’i takuar, duke qëndruar vetëm brenda axhendës së takimeve me keryeministrin Edi Rama dhe kreun zyrtar të PD, Lulzim Basha.
Asokohe nga zyra e ish kryeministrit Sali Berisha nuk pati asnjë shpjegim për këtë shmangie totale nga SHBA, por gjithkush e arsyetoi me faktin se ai ishte thjeshtë një ish kryeministër dhe për më tepër një politikan i “shënjuar” nga SHBA si person “non grata” familjarisht.
Ndërkohë që nga zyra e shtypit e Presidentit u argumentua mungesa e takimit me Ilir Metën me faktin e axhendës së ngjeshur që zyrtari i lartë amerikan Reeker kishte në Shqipëri dhe në rajon. Pavarësisht se bëri dhe takime të tjera jashtë axhendës në vendin tonë.
Ndërsa ditën e sotme në Tiranë mbërrin zv.ndihmësi i Sekretarit Amerikan të Shtetit dhe njëherësh i dërguar i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, për një vizitë të paralajmëruar zyrtare.
Sipas axhendës së botuar dhe në mediat tona, Escobar do të takohet me kryeministrin Edi Rama, ministrën për Europën dhe Punët e Jashtme Olta Xhaçka si dhe kryetarin e opozitës Lulzim Basha. Nuk pritet të ketë ndonjë konferencë për mediat, por mendohet se zyrtari i lartë amerikan do të ketë dhe një darkë pune me kryeministrin Rama.
Por vizita e Escobar në Tiranë merr një rëndësi të veçantë dhe është e pritshme për t’u parë, pasi nuk përjashtohet mundësia e dhënies së mesazheve të forta për politikën shqiptare, e cila me sa duket “merr vesh” vetëm kur ua këput drejt, pra i flitet “shqip”.
E themi se ka rëndësi të veçantë vizita e Escobar në Tiranë, pasi vjen vetëm dy ditë para Kuvendit kombëtar të PD të thirrur nga Sali Berisha, i cili është i shpallur ‘non grata’ nga SHBA për korrupsion dhe minim të demokracisë. Dhe për më tepër që PD është në krizë të fortë lidershipi, pasi Berisha kërkon me patjetër “kokën” e Bashës ditën e shtunë.
Ndërkohë që vetëm dy ditë më parë, ambasada e SHBA, tha se vizita e Escobar është për të konfirmuar gjithashtu vendosmërinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të luftuar korrupsionin, pandëshkueshmërinë dhe përpjekjet për të minuar demokracinë në Ballkanin Perëndimor, ku përfshihet dhe Shqipëria.
Duket si një mesazh i drejtëpërdrejtë ndaj Berishës nga ambasada e SHBA në këtë javë vendimtare të luftës së tij, jo vetëm kundër Lulzim Bashës, por edhe vendimit të SHBA. Këto ditë janë shumë të rëndësishme për PD. Kujtojmë se zgjedhja e Sali Berishës në krye të Partisë Demokratike do ta bënte forcën më të madhe opozitare në vend ‘non grata’ në SHBA, sipas një deklarate të ambasadores Yuri Kim.
Por me sa duket mezazhi i fortë për Berishën është dhënë që pa ardhur ende Escobar në Tiranë, teksa nuk është përfshirë në axhendë një takim me të, si “mëtonjës” i postit të kryetarit të PD dhe as për ndonjë përpjekje të mundshme për të qetësuar konfliktin në PD.
Për Berishën dihej kjo situatë, pasi ai person “non grata” në SHBA dhe për Uashingtonin ish kryeministri është e shkuara, e cila ka qënë me shumë probleme për Shqipërinë dhe shqiptarët.
Por ajo që bën shumë sens është lënia jashtë axhendës së takimeve të Escobar në Tiranë, sërish të Presidentit të Republikës Ilir Meta. I cili, ndonëse ka një çështje për shkarkimin e tij në Gjykatën Kushtetuese për shkelje të Kushtetutës, aktualisht është kreu i shtetit shqiptar.
Ilir Meta nuk e ka për herë të parë faktin që mënjanohet nga ana e zyrtarëve të lartë amerikanë, të cilët me sa duket nuk e konsiderojnë më si kryetar shteti, referuar dhe sjelljes së tij politike në raport me shqiptarët, Shqipërinë për dhe me vetë aleatin tonë të madh, SHBA.
S’besojmë se janë vetëm deklarimet e Metës kundër SHBA, që nga zbardhja e të ashtuquajturave biseda të tij me ambasadorët amerikanë, apo kërcënimeve për “kapje për veshi të amerikanëve dhe se mund ta qëllojnë me raketa në Malin me Gropa, por raketa ka dhe Rusia”.
Këto janë deklarata që nuk kalojnë pa u mbajtur shënim. Por theksimi për disa ditë me radhë i strategjisë amerikane për luftë pa kompromis ndaj të korruptuarve dhe minuesve të demokracisë në të gjithë spektrin e vendeve aleate në botë, që kërcënojnë sigurinë e SHBA, tregon qartë se këto qëndrime kanë qënë pararendëse të mënjanimit nga axhenda e takimeve të Escobar në Tiranë dhe të Presidentit Ilir Meta, si të padëshirueshmin e pashpallur ende të tij në SHBA.
Nuk dimë se çfarë justifikimi i radhës do të dalë nga Presidenca për këtë shmangie të Metës nga axhenda e takimeve me zyrtarin e lartë amerikan që viziton Shqipërinë këtë të enjte, por mesazhi i qartë që vjen nga Uashingtoni lexohet dhe nga shqiptari më i thjeshtë, si një izolim të Metës dhe mosllogaritje të tij në krahun e “kampit” të angazhuar për të luftuar korrupsionin e minuesit e demokracisë, sipas strategjisë globale të Biden.
Eshtë një mesazh i qartë me sa duket dhe për organet e drejtësisë së re, në radhë të parë për Gjykatën Kushtetuese, që të jenë në anën e zbatimit të ligjit dhe të Kushtetutës, duke mos lënë asnjë shans që të kenë mundësinë e “piruetave” ligjore e Kushtetuese që të mbrojnë nga shkarkimi si President një politikan të izoluar totalisht nga aleatët tanë të mëdhenj.
Ndërkohë që për Shqipërinë e shqiptarët është e padrejtë që të kenë në krye një President, të cilit administrata e vendit më demokratik në botë nuk i beson as për të realizuar një takim rutinë apo formal në zyrën e tij në Presidencë.
Aq më tepër që në një situatë normale, me një president normal, askush më shumë se kreu i shtetit nuk do të ishte i përshtatshëm me të cilin zyrtari i lartë amerikan të ndante qëndrimin e përbashkët për luftën kundër korrupsionit dhe minimit të demokracisë, teksa strategjia e presidentit Biden e përcakton këtë luftë si një angazhim për sigurinë kombëtare të SHBA dhe vendeve aleate. Presidenti shqiptar është dhe kreu i Këshillit Kombëtar të Sigurisë Kombëtare, dhe shmangia e takimit me të tregon qartë se Meta është në krahun e kundërt të kësaj lufte.
Teksa sheh një shmangie të tillë totale të Metës dhe Berishës nga ana e zyrtarëve amerikanë, është e pamendueshme nesër krijimi i një blloku opozitar Berisha-Meta me apo pa PD-në zyrtare brenda, i cili të shihet si fitues në zgjedhjet e radhës në Shqipëri.
Mesazhet janë dhënë tashmë, pritet se si anëtarësia e partive më të mëdha opozitare do t’i përthithë këto mesazhe, ku historia ka treguar që më shumë ka vendosur për të ardhmen gjaknxehtësia politike dhe shkuarja pas liderit të fortë se sa qetësia e shikimi nga e ardhmja. Të presim, numërimi mbrapsht ka filluar. Për PD dhe dy ditë kanë mbetur, për LSI-në s’ka histori.