Shkëlqim Rusi, vëllai i Adem Rusit, shqiptarit me origjinë nga Korça që u raportua nga autoritetet greke se vrau veten në momentin që po e dërgonin nga spitali në burgun e Malandrinos shprehet në një prononcim tjetër për mediat se nuk do të jetë i qetë deri në momentin që t’i bëhet autopsia në Shqipëri. Trupi i pajetë iu dorëzua sot familjes.
“Në prokurori ka vajtur kallëzimi penal që bëra, dhe do shkoj të pyes për të marrë fletën nëse do pranojnë kallëzimin. Dua me cdo kusht që ti bëhet autopsia, që të di shkakun e vdekjes e të fle rehat. I kam marrë të gjitha letrat, vetëm atë të prokurorisë pres. Përgjigje deri më tani kam ato që kanë nxjerrë grekët, por unë nuk besoj asnjë gjë, këtu do dalë e vërteta.
Morën fillimisht nënën, pastaj më morën mua e më thanë që e kemi cuar në spital, për kontroll rutinë, natën nuk ka kontroll rutinë. Ka pirë klorinë më tha drejtori i burgut, tha u bë mirë, kur po e kthenim fatkeqësisht vari veten, në makinë të policisë, me gardianë brenda. Ata nuk të lenë as me lidhëse këpucësh, as me rrip, asgjë të ketë i burgosuri, plus ka qenë i prangosur dhe me 2-3 shoqërues.
Do kërkoj drejtësi deri në fund, sikur edhe kjo të jetë e vërtetë që të ketë varur veten, është neglizhencë e tyre. Pas vëllait tim mund ta kenë radhën të tjerët, shteti tonë duhet të ngrejë strukturë në ambasadat tona që të mbrojë të gjithë të burgosurit. Shpresën vetëm te autopsia e kam” deklaroi ai.
g.kosovari