Më 8 Dhjetor u bë 1 vit nga vrasja e Klodian Rashës nga efektivi i policisë, Nevaldo Hajdaraj. Babai i tij, Qazim Rasha, kërkoi të mërkurën që të gjenden edhe personat që kërkuan që të inkriminonin djalin e tij duke vendosur një armë në vendin e ngjarjes.
Ministri Bledi Çuçi u pyet për këtë çështje pas mbledhjes së qeverisë dhe tha se çdo gjë e lidhur me atë ngjarje është zbardhur në mënyrë profesionale. Ai tha se në polici vazhdojnë hetime të tilla dhe nëse do të ketë rezultate konkrete do të bëhen publike.
Pyetje: Ditën e djeshme 8 Dhjetor, ka qenë 1 vjetori i vrasjes së Klodian Rashës, babai i tij ka kërkuar mbajtjen përgjegjësi të personave që në vendin e ngjarjes kanë deklaruar se kanë gjetur një armë që pas hetimeve i kanë mohuar. A keni koment për këtë?
Bledi Çuçi: Çdo gjë lidhur me atë ngjarje është zbardhur në mënyrën më profesionale nga Policia e Shtetit dhe në kohë rekord. Në lidhje me pyetjen tuaj nuk kam dijeni që prokuroria të ketë mohuar një gjë të tillë. Ka pasur hetim, qoftë hetim të brendshëm në Policinë e Shtetit, dhe qoftë një hetim më gjithëpërfshirës në lidhje me ngjarjen, ku pjesa e parë besoj jeni të gjithë të informuar tashmë është në kanalet e procesit gjyqësor ku besoj se dhe vendimet përfundimtare mbas gjithë hallkave të sistemit gjyqësor do të përfundojnë me dënimin e punonjësit të policisë që ka kryer këtë krim. Për pjesë të tjera sigurisht që vazhdojnë hetime edhe në polici, brenda policisë ka hetime të tilla dhe besoj se në momentin që do kemi një rezultat konkret në lidhje me këtë gjë, padiskutim që do të bëhet publike.
/a.r