Presidenti Ilir Meta nxorri dy këshilltarë të tij për të njoftuar deklaratën kundër vendimit të Gjykatës Kushtetuese, që sipas Presidencës nuk vendos asgjë, përveçse një precedenti të rrezikshëm për demokracinë shqiptare.
Qëndrimi ishte i ashpër, ai akuzonte Gjykatën Kushtetuese se ishte bërë palë me Qeverinë dhe kishte dhënë në vendimin e arsyetuar të njëjtën logjikë që është mbrojtur nga qeveria në lidhje me vlefshmërinë e 30 qershorit si proces.
“Ajo nuk dha shpjegim përse ndërmori këtë veprimËshtë e qartë që, me vendimmarrjen e saj, Gjykata Kushtetuese, nuk pati vullnet ta zgjidhte këtë çështje përmes juridiksionit gjyqësor kushtetues, por ia la sërish çështjen, juridiksionit ‘politik.’ Për t’iu shmangur themelit të çështjes dhe për ta bërë veten jo-kompetente, Gjykata Kushtetuese, gjatë veprimtarisë së saj, ka cenuar rëndë parimet e transparencës dhe të procesit të rregullt ligjor.’ – tha keshilltari i Metes Dervishaj. Duke e quajtur kete çeshtje te pazgjidhur
Kur u pyetën nga gazetarët nëse me këtë deklaratë, Presidenti Ilir Meta nënkuptonte se nuk e njeh këtë vendim dhe nuk do ta respektojë atë për të nxjerrë një datë për mbajtjen e zgjedhjeve të pjesshme lokale, këshilltari për marrëdhënien me publikun, Tedi Blushi tha se për këtë çështje do të dalë vetë Presidenti Meta në një konferencë “shumë shpejt”.
Megjithatë, nisur nga ato që lexoi këshilltari juridik i Metës, nuk do të përbënte habi dalja e Presidentit para gazetarëve me vendimin për të refuzuar nxjerrjen e një dekreti për zgjedhjet e pjesshme lokale në gjashtë bashkitë që kanë mbetur aktualisht pa kryetarë, mes të cilave Durrësi, Shkodra e Lushnja.
Një vendim i tillë do të binte ndesh me një prej parimeve themelore të funksionimit të gjykatave; atë që vendimet e tyre zbatohen, nuk diskutohen. Por, para zbatimit, Presidenca e diskutoi, madje e bëri këtë me një gjuhë të ashpër në drejtim të Gjykatës Kushtetuese, deri atje sa e cilësoi atë në mos të kontrolluar, të ndikuar nga Qeveria.
Por, cilat janë mekanizmat ligjorë që ka Presidenti Ilir Meta për t’iu kundërvënë tani armikut të ri të shpallur, që është Gjykata Kushtetuese? Në deklaratat televizive që ka dhënë më herët, Ilir Meta ka përmendur Gjykatën e Strasburgut.
Megjithatë, në këtë fazë që ndodhet shqyrtimi nga Gjykata Kushtetuese e vendimit të shkarkimit dhe raportit hetimor të Kuvendit të kaluar, më shumë se një strategji për të kundërshtuar këtë vendim, qëndrimi i Presidentit Meta duke si formë presioni ndaj kësaj gjykate para vendimmarrjes finale për fatin e tij në Presidencë.
Kushtetuesja do të vendosë në fillim të vitit të ardhshëm për këtë çështje dhe vendimi i saj është përfundimtar. Në varësi të këtij vendimi do të jetë edhe qëndrimi i Metës në zyrën e Presidencës, apo jo, mandati i të cilit përfundon me 24 korrik të vitit të ardhshëm./shqip/m.j