Përmes një interviste të dhënë për News 24, kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha, foli në lidhje me situatën e brendshme në Partinë Demokratike në vigjilje të mbajtjes së Kuvendit Kombëtar të thirrur prej tij më 18 Dhjetor.
Basha u ndaj në një pjesë të intervistës dhe te akuzat e bëra në adresë të tij nga ish-lideri i Partisë Demokratike Sali Berisha, për përfshirjen në çështjen “Toyota Yaris”.
Kryedemokrati u shpreh se akuzat janë qesharake dhe ndryshojnë formën e tyre çdo javë duke vërtetuar pavërtetësinë e tyre.
Pyetje: Çfarë ju ka prekur më shumë, çfarë ju ka cenuar më tepër zoti Basha sepse akuzat janë rënduar çdo ditë e më tepër, deklaratat janë bërë më të forta.
Lulzim Basha: Akuzat në vetvete janë bërë gjithmonë e më qesharake dhe paradoksi qëndron që një akuzë e bërë një javë është moderuar apo ndryshuar javën tjetër në varësi të interesit apo në varësi të siç është tekur, tekave të zotit Berisha. Ajo që më dhemb më shumë dhe më dhemb edhe sot është se akoma ndonëse me mendje e kuptoj, nuk arrij ta përthith, nuk arrij ta pranoj në qenien time, akoma nuk arrij ta pranoj në qenien time faktin që një njeri i cili ka patur kaq shumë besim nga demokratët në 30 vite, të cilit i është besuar drejtimi i partisë, drejtimi i shtetit, i qeverisë që është investuar kaq shumë për të, nga të gjithë ne, nga unë personalisht, nga familjarët e mi, nga demokratët në lagjen ku jam rritur, nga demokratët anembanë Shqipërisë, mundet që kaq lehtësisht të thotë para vetes time nuk vë fatin e këtyre demokratëve që në fund të fundit për 30 vite me radhë janë çelësi i atyre sukseseve që kemi arritur.
Ata janë në të vërtetë heronj të, njerëzit që meritojnë t’iu jepet e gjithë kredia për gjërat e mëdha dhe pozitive që ka arritur Partia Demokratike për shqiptarët, nëse ka gabime, nëse ka të meta dhe ka boll, ajo është përgjegjësi e lidershipit. Si mundet në një moment kur të cenohen interesat personale, të shkelësh pa pikë ndjeshmërie njerëzore mbi sakrificat e demokratëve për interesat e tua personale.
Kjo është diçka të cilën me thënë të drejtën nuk arrij ta tejkaloj në planin emocional ndonëse në planin racional për fat të keq jo vetëm e kam kaluar, por edhe më është paralajmëruar disa herë në mënyrë të qartë nga zoti Berisha që këto rrugë do të ndiqte dhe këto rrugë ka ndjekur, por në fund ajo që mbetet është vendosmëria ime si kryetar i Partisë Demokratike, që interesat e demokratëve, interesat e Partisë Demokratike do të prevalojnë dhe për këtë të mos ketë askush as më të voglin hezitim, as më të voglin dyshim./m.j