Nën urdhrin që ajo nuk duhet të kapërcejë pragun e asnjë qendre tregtare si dhe nuk duhet të hyjë në asnjë dyqan që tregton veshje, një grua në Tiranë e moshës 44 vjeç u shpall fajtore nga gjykata e kryeqytetit me detyrimin që mos t’i afrohet asnjë biznesi të tillë.
Mbasi dëgjoi rrëfimin e të akuzuarës që këmbënguli se nuk mbante mend të kishte vjedhur veshje mbasi kur ishte e shqetësuar qendrat tregtare i përdorte si antistres, Gjyqtari Gerd Hoxha e dënoi gruan me emrin Enela me kushtin që për 16 muaj të qëndrojë nën shërbim prove.
Ky verdikt nuk është apeluar nga 44 vjeçarja nga Tirana, e cila e ka pranuar detyrimin e gjykatës që t’u qendrojë larg dyqaneve , ndërkohë që burimet tregojnë se nëna e dy fëmijëve çdo ditë kontrollohet përmes telefonit ose befasisht nga shërbimi i provës, i ngarkuar për të ekzekutuar dënimin e rrallë.
Gruaja u konstatua në dalje të një qendre tregtare mbas rënies së alarmit, kurse kontrolli fizik zbuloi se ajo kishte vjedhur veshje që nuk i kishte paguar.
Por gjatë gjykimit , Enela jo vetëm u shfaq e penduar, por gjithashtu kujtoi se rriti dhe edukoi krejt e vetme dy fëmijë që sipas saj nuk i kanë hapur probleme me ligjin.
“Nuk e mbaj mend si e kreva këtë veprim” thotë Enela , “por hyj në qendra tregtare sa herë jam e shqetësuar”.
Pavarësisht këtij qendrimi gjatë kontrollit policor që mbërriti menjëherë sapo e njoftuan shitësit, asaj iu gjetën një palë pinca që i përdorte për të larguar sinjalin në rroba.//tch/m.j