Të tjera detaje dalin në dritë në lidhje me skandalin e pasaportave në Greqi. Bledar Jambelli allias Rikardo Muho, porositësi i vrasjes së Komisar Artan Cukut, rezulton të jetë pajisur me identitet grek fals nga grupi kriminal që u ndryshonte identitetin kriminaleve shqiptare me qellim që t’i shmangeshin drejtësisë. Bledar Jambelli kishte siguruar në Xania një kartë identiteti dhe pasaportë greke në emrin Xristos Xamkidis.
Rikardo Muho, që për policinë greke, e kishte të shtrirë veprimtarinë kriminale në Spanjë dhe Greqi, në prill 2020 është marrë në pyetje nga policia greke ku ka dhënë informacion të vlefshëm lidhur me grupin kriminal të falsifikatorëve. Sipas tij, ai kishte paguar 35 mijë euro për të ndërruar identitet dhe këtë e kishte bërë me qëllim që mos të ekstradohej në Shqipëri, por të qëndronte pranë familjarëve të tij që ndodhen në Greqi.
KUSH ËSHTË BLEDAR JAMBELLI
Nga hetimet e kryera nga Policia e Shtetit, në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë dyshohet se Jambelli ka porositur vrasjen e komisar Cukut, ngjarje e ndodhur më 8 prill 2017.
Kryekomisari u vra duke hyrë në shtëpinë e tij në Tiranë natën e 8 prillit të vitit 2017. Ai u qëllua me 5 plumba, katër në gjoks dhe një në kokë. Po nga hetimi rezulton se motivi i krimit lidhet me arrestimin e Jambellit në kohën kur viktima kryente detyrën e Drejtorit të Policisë Vlorë.
Jambelli u shpall në kërkim ndërkombëtar nga ana e Policisë më datë 13.06.2017, pasi Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda, me vendimin nr. 292, datë 12.06.2017, ka vendosur masën e sigurisë Arrest me burg, për veprën penale “Vrasja e Punonjësit të Policisë së Shtetit” e kryer në bashkëpunim. Pas arrestimit të tij 20 muaj pas krimit, Greqia vendosi që mos ta ekstradonte atë drejt shtetit tonë.
/b.h