Gjykata e Durrësit ka vendosur masën e sigurisë “Arrest në burg” për 50-vjecarin që u arrestua nga Policia tri ditë më parë, pasi dyshohet të ketë kryer veprën penale “Marrëdhënie seksuale ose homoseksuale me persona me gjini ose kujdestari”.
Ai u denoncua pakë ditë më parë nga mbesa e tij me të cilën kishin krijuar një lidhje intime.
27-vjeçarja e akuzon xhaxhain se e shantazhonte pasi ajo refuzonte të vazhdonte lidhjen me të. Festim. B., ka hedhur poshtë pretendimet e mbesës duke deklaruar se nuk e ka shantazhuar, por gjithçka ka ndodhur me pëlqimin e të dyve.
Para trupit gjykues, 50-vjeçari është shfaqur i penduar, por nuk ka pranuar që të ketë kryer marrëdhënie seksuale me mbesën pa dëshirën e saj.
“Fillimisht, dua të kërkoj falje për gjithçka. Por në të njëjtën kohë, mohoj akuzat pasi kurrë nuk e kam shantazhuar apo kam kryer marrëdhënie me të pa dëshirën e saj. Ajo gënjen kur thotë se unë e paskam shantazhuar. Nuk është e vërtetë kjo. Le të kontrollohen telefonat e të dyve, për të vërtetuar nëse e kam shantazhuar. Sinqerisht, ndihem shumë keq dhe më vjen turp”, ka deklaruar shkurtimisht 50-vjeçari, për të cilin prokurori i çështjes kërkoi si masë sigurie “Arrest në burg”.
Ndërkohë, avokati i tij ka kërkuar masë më të butë me pretekstin se gjendja shëndetësore e 50-vjeçarit nuk është e mirë. Por, kjo nuk është marrë parasysh nga gjyqtari Paulin Çera, i cili vendosi ta lërë në burg të akuzuarin Festim B.
Vajza ka deklaruar se xhaxhai prej disa kohësh ushtronte dhunë psikologjike dhe kërkonte të vazhdonte lidhja e tyre, duke e kërcënuar se do t’u tregonte familjarëve të saj.
“Disa kohë më parë kemi pasur një raport bashkë. Vazhdoi për disa kohë me pëlqimin e të dyve. Më pas unë reflektova dhe kërkova ta ndërprisnim lidhjen. Por, ai u bë keq dhe më kërcënonte se do t’i tregonte familjes sime për lidhjen tonë. Më bënte presion psikologjik. U gjenda në një situatë të vështirë. Sa në disa raste mendova edhe më të keqen për vetën. I lutesha të më linte të qetë pasi nuk doja ta vazhdoja më, por ai nuk ndalej. Derisa vendosa ta denoncoj. Dua që ta arrestoni, pasi jam shumë e frikësuar”, ka deklaruar 27-vjeçarja./m,j