Edi Luarasi do t’i mungojë familjes, miqve e kolegëve, por edhe spektatorëve shqiptarë. Aktorja e madhe e skenës shqiptare u shua dje për shkak të një sëmundjeje të rëndë, teksa sot do të përcillet në banesën e fundit. Miku i saj, artisti Bujar Kapexhiu thotë për News24 se nga qielli i artit shqiptar, u shkëput ylli më i ndritshëm.
Ai u shpreh se bashkëpunimi me Luarasin që nga festivali i 11-të ka qenë shumë i ngushtë dhe se kanë qenë bashkë si në sukses ashtu dhe në ato që pësuan nga regjimi.
“Është i dhimbshëm çasti kur të takon të flasësh për një njeri të dashur që largohet nga kjo jetë. Edi Luarasi, një nga aktoret më të shquara nuk është më, por padyshim që ka lënë gjurmë të thella në ekran dhe në teatër dhe do jetë e paharruar gjithmonë.
Nga qielli i artit shqiptar, u shkëput ylli më i ndritshëm, për të bërë dritë në parajsë. Jam i sigurt se shumë dhimbje kanë për miqtë e kolegët e saj, por edhe spektatorët. Me atë që ajo ka lënë ajo do mbetet e paharruar për të gjithë.
Ka qenë një bashkëpunim shumë i ngushtë. Kemi qenë të dy bashkë dhe për duartrokitjet, ovacionet, suksesin, por edhe të tjerat gjëra që pësuam nga regjimi”, tha Kapexhiu./m.j