Policia spanjolle njoftoi sot sekuestrimin e tre tonëve kokainë në veriperëndim të Spanjës dhe arrestimin e 12 trafikantëve të dyshuar, me kombësi spanjolle, holandeze dhe britanike.
“Bëhet fjalë për sekuestrimin më të madh të kësaj lloj droge realizuar në Galicë që prej vitit 1999”, theksoi policia kombëtare në një komunikatë.
“Tre tonët e kokainës do të bliheshin nga një grup i madh trafikantësh droge që ndodhet në Costa del Sol, në provincën Malaga”, theksuan hetuesit në këtë komunikatë pa dhënë detaje për datën e zbulimit.
“Dymbëdhjetë persona u arrestuan duke përfshirë dhe transportuesit e mallit, me kombësi spanjolle dhe shitësit dhe blerësit e drogës, respektivisht me kombësi holandeze dhe britanike”, theksoi policia.
Gadishulli iberik është konsideruar si porta kryesore e hyrjes në Evropë të kokainës që vjen nga Amerika Latine. Nga gadishulli kalojnë tranzit gjithashtu ngarkesa me kanabis që vijnë nga Maroku.
Gjithashtu, më 11 dhjetor, policia kishte njoftuar sekuestrimin në portin e Valencias të 1,4 tonëve paletave të rreme druri të importuara nga Kolumbia që ishin në fakt kokainë dhe arrestimin e 12 të dyshuarve në Spanjë, në Emiratet e Bashkuara Arabe dhe në Britaninë e Madhe.