Një pjesë e naftëtarëve të Ballshit kanë shkuar paraditen e së mërkurës sërish tek uzina. Ata qëndruan në distancë pasi hyrja për në uzinë është blinduar nga forca të shumta sigurie.
Siç u shprehën para mediave, naftëtarët kërkojnë që ish-përfaqësuesi i sindikatës Kamber Iljazi dhe përfaqësuesi ligjor që ka marrë përsipër procesin gjyqësor për pagat e prapambetura të paraqiten para tyre dhe të japin shpjegime.
Një prej përfaqësuesve të naftëtarëve tha se mbi 300 persona kanë paguar nga 5000 lekë ndërsa deklaroi se do të drejtohen drejt komisariatit për të bërë akuzë penale ndaj personave që e kanë lënë procesin pas dore.
Një prej tyre madje bëri thirrje për të marshuar drejt Tiranës në këmbë.
‘Kam 20 vite që punoj këtu. Duam të punojmë të ushqejmë fëmijët tanë. Këtu janë 200-300 forca policie. Unë nuk jam thirrur në komisariatin e Fierit. Ata janë liruar që të gjithë dhe mesa mora vesh ka ngritur 3 akuza. Unë nuk marr leje për të bërë protestë, kemi marrë lejë për tubim. Po kërkova leje për protestë sot e 100 vjet nuk me jep njeri leje. Ne vërtetë kemi qenë para portës. Kemi kërkuar sqarim. Nuk kemi marrë përgjigje. Kam parë një fadromë duke punuar dhe kemi kërkuar të ndërpriten punimet. Kemi marrë takim dhe më ka thënë se është si një furrë buke dhe si shtet nuk vëmë dorë. Ne dimë se 15% i ka aksionet shteti. Tek ky 15 % duhet të jetë pikërisht për ne që jemi punëtor. Pse nuk shpallin falimentin. Këtu janë ndërruar 5 ose 6 sipërmarrësa por gjyqin e kemi mbi kompaninë ARMO. Unë kam 13 paga të pamarra. Sipas ish-kryetarit të Sindikatës, se di pse janë ndarë, e kanë copëtuar numrin e punëtorëve duke i marrë me radhë. Kemi dy muaj pa marrë asnjë pagë. Këtu është vetëm dëshira e mirë e qeveritarëve. Nëse ne humbasim këtë specialistët flaken në rrugë. Duhen 2-3 mln euro që të vihet në punë uzina. Kërkojmë pagat e prapambetura. Duam të dimë kush po e merr rafinerinë.”, shprehet një prej naftëtarëve.
Kujtojmë se mbrëmjen e djeshme në komisariatin e Mallakastrës janë shoqëruar 9 naftëtarë të Ballshit për t’u marrë në pyetje për incidentet gjatë protestës të së hënës.
Ata u poceduan këtë mëngjes pasi akuzohen se kanë tentuar të hyjnë me forcë në ambientet e rafinerisë dhe kanë dëmtuar derën kryesore. Naftëtarët po ndiqen në gjendje të lirë për veprat penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme”, “Prishja e qetësisë publike” dhe “Shkatërrimi i pronës”.
Prej dy javësh naftëtarët kanë protestuar disa herë pasi pretendojnë se në uzinë kanë hyrë mjete dhe persona të cilët duan të dëmtojnë rafinerinë. Po nga ana e saj Ministria e Infrastrukturës i ka përgënjeshtruar duke thënë se nuk është ofruar asnjë blerës.
g.kosovari