Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, deklaroi se lancimi i platformës së prokurimit elektronik sot në Kosovë është një hap që do të sigurojë transparencë dhe mbikëqyrje më të mirë të procesit të prokurimit publik.
Presidentja Jahjaga nëpërmjet faqes së saj Facebook pasditen e së hënës shprehet: “Fillimi i lancimit të platformës së prokurimit elektronik sot në Kosovë është një hap që do të sigurojë transparencë dhe mbikëqyrje më të mirë të procesit të prokurimit publik dhe llogaridhënies për shpenzimin e parasë së tatimpaguesve. Prokurimi publik elektronik është dëshmuar si mjet i rëndësishëm në luftën kundër korrupsionit dhe me lancimin e kësaj platforme kam besim se Kosova do të mund të adresojë shqetësimet që lidhen me këtë segment të vendosjes së rendit dhe ligjit”.
“Platforma e prokurimit elektronik do të ndikojë në zhvillimin ekonomik duke rritur konkurrencën e barabartë në treg, do të ulë koston dhe rritë efikasitetin, si dhe do të përmirësojë transparencën dhe llogaridhënien e institucioneve komunale dhe qendrore në shpenzimet buxhetore. Prokurimi elektronik si mjet për fillimin e reformës e përgjithshme të prokurimit publik ka qenë një prej rekomandimeve kryesore të Këshillit Kombëtar Kundër-Korrupsion”, pohon Jahjaga.