Kryedemokrati Lulzim Basha ka refuzuar të kërkojë një takim me ish-kryeministrin Sali Berisha, pasi thotë se ky i fundit vendos interesin personal para atij të demokratëve.
Ai u shpreh në Abc se Berisha është në Parlament dhe PD vetëm falë investimit të tij, ndërsa zbuloi se me ish-kryeministrin ka biseduar me mesazhe pas 9 shtatorit (përjashtimi i Berishës) vetëm për çështje familjare.
Do kërkoni një takim me Berishën?
Basha: Ta kërkoj unë? Për çfarë? PD nuk shpëtohet nga përçarja duke vendosur interesta personale mbi ato të demokratëve. Kjo është ajo që ka bërë Sali Berisha deri tani. Në momentin që ai e ndal këtë, nuk ka asnjë problem. Falë investimit tim, ai është akjoma në PD dhe në Parlament. Në 9 shtator kam komunikuar për herë të fundit me të. Për çështje familjare kemi patur shkëmbime mesazhesh.
Basha ka përgënjeshtruar edhe deklaratat e Berishës se i ka kërkuar dorëheqjen në vitin 2017, duke u shprehur se ish-kryeministri ka një mentalitet të vjetër.
A ju ka kërkuar Sali Berisha dorëheqjen pas zgjedhjeve të vitit 2017?
Basha: Nuk është e vërtet. Si shumica e gjërave, është mentaliteti i vjetër. Mentaliteti i regjimit që kemi lënë pas. Kjo kulturë duhet të marrë fund. Kjo është pjesë e kulturës bolshevike. Detyra ime është fundi i tranzicionit, i kësaj kulture./m.j