Departamenti Amerikan i Shtetit, për të dytën herë në një hark të shkurtër kohor, duke sqaruar arsyet dhe rrethanat e damkosjes së Familjes Berisha si familje e korruptuar, flet për aleatë të përfshirë në korrupsion të Sali Berishës, të cilët ky i fundit i ka mbrojtur dhe është gati t’i mbrojë sërish nga ndëshkimi ligjor.
Në 19 maj 2021, Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken, teksa shpalli Sali Berishën dhe familjen e tij non grata për korrupsion madhor, shantazh ndaj drejtësisë dhe minim të demokracisë, thekson se Sali Berisha “është i gatshëm të mbrojë veten, anëtarët e familjes së tij dhe aleatët e tij politikë në kurriz të hetimeve të pavarura, përpjekjeve kundër korrupsionit dhe masave të llogaridhënies”.
Vendimi i paprecedentë tronditi familjen Berisha, trazoi politikën dhe e ka kthyer Partinë Demokratike në ‘fole grerëzash’.
Në 7 qershor 2021, Kongresmeni amerikan nga radhët e Republikanëve, Lee Zeldin, kërkoi informacion të detajuar për procesin e ndjekur për shpalljen ‘non grata’ të Sali Berishës. Ditët e fundit është zbuluar përgjigja që DASH i ka kthyer kongresmenit Lee në 22 qershor 2021, për çështjen e Berishës.
Përpos të tjerave, në letrën e DASH thuhet se “Për më tepër, siç vuri në dukje Sekretari, vetë retorika e z. Berisha tregon se ai është i gatshëm të mbrojë veten, anëtarët e familjes dhe aleatët e tij politikë në kurriz të hetimeve të pavarura, përpjekjeve kundër korrupsionit dhe masave të llogaridhënies”.
Po kush janë aleatët e Sali Berishës, të cilëve u referohet SHBA, si të përfshirë në praktika korruptive, në përdorimin e pushtetit për t’u pasuruar dhe që mbrohen nga Berisha që t’i shpëtojnë veprimit të drejtësisë?
Sali Berisha dy aleatë kryesorë ka pasur gjatë ushtrimit të pushtetit 2005-2013, kohë gjatë të cilës DASH thotë se është përfshirë në korrupsion madhor.
Ata janë Ilir Meta dhe Fatmir Mediu. Enigma e madhe konsiston se cilit i referohet Departamenti Amerikan i Shtetit, Ilir Metës apo Fatmir Mediut. A po u referohet të dyve bashkë, pasi në të dy masazhet e DASH flitet për ‘aleatë’ në numrin shumës, pra më shumë se një aleat?!
Si Fatmir Mediu, ashtu edhe Ilir Meta janë marrë të pandehur nga prokuroria për shpërdorim detyre dhe korrupsion. Që të dy janë shpëtuar nga Sali Berisha, falë kapjes prej tij të Gjykatës së Lartë, e cila u shkërmoq nga Vetingu, proces që sulmohet egërsisht nga Berisha.
Në 14 shtator 2009, Gjykata e Lartë mbylli me procedurë dosjen e Fatmir Mediun për Gërdecin, që përfaqëson korrupsionin e nivelit të lartë shtetëror me pasoja më tragjike në Shqipëri. Një grup provash, faktesh dhe dëshmish kanë konfirmuar se pas Gërdecit qëndronte Sali Berisha me të birin, Shkëlzen Berisha, ende të pandëshkuar nga drejtësia. Në këto rrethana, Berisha ishte i detyruar të mbronte Mediun në Gjykatën e Lartë, pasi praktikisht po mbronte veten dhe familjen e tij.
Në janar 2012, Gjykata e Lartë shpalli të pafajshëm Ilir Metën, i cili akuzohej nga prokuroria për korrupsion dhe që kërkonte të dënohej me dy vite burg. Meta ishte aleat në qeverisje i Berishës që nga viti 2009. Një ditë para vendimit, Berisha u shfaq në një darkë tek shtëpia e Ilir Metës, duke u dhënë një mesazh të gjyqtarëve që kishte emëruar vetë. Këtë herë Berisha po mbronte Metën, për të mbrojtur pushtetin e tij, pasi 4 votat e Metës mbanin në këmbë qeverinë e Berishës që nga shtatori 2009.
Vetëm anëtari i Gjykatës së Lartë, Ardian Dvorani, nuk iu bind sinjalit të Berishës. Dvorani votoi kundër pafajësisë së Metës. Për këtë arsye, Dvorani u shpall armik, u liçua dhe u sulmua egërsisht nga Berisha dhe Meta për 9 vite me radhë.
Në shkurt 2021, Departamenti Amerikan i Shtetit shpalli pikërisht Ardian Dvoranin në listën e 12 personaliteteve kampionë në botë në luftën kundër korrupsionit.
Vetëm 3 muaj më vonë DASH do të shpallte Berishën në litën e zezë për korrupsion madhor, bashkë me aleatët e tij të paidentifikuar me emër konkret. Është Ilir Meta apo Fatmir Mediu, apo janë të dy bashkë?! Enigma vazhdon!/ shqiptarja.com
/b.h