Debati i ashpër mes Sali Berishës dhe Lulzim Bashës arriti deri në pikën, ku ish-kryeministri tha se kreu aktual i PD-së nuk ka kurajo dhe nuk e ka përmendur asnjëherë emrin e Suel Çelës, një prej personat e shpallur në kërkim në qytetin e Elbasanit.
Po gjatë një hulumtimi mes deklaratave të Lulzim Bashës është zbuluar një deklaratë e tij që ka denoncuar pikërisht Suel Çelën në vitin 2015, 2 ditë para zgjedhjeve lokale.
Për demokratët, Suel Çela është një nga njerëzit më të rëndësishëm të krimit të organizuar në Elbasan dhe ai ka qenë vazhdimisht në krye të bandave të grabitjes së votave për llogari të Qazim Sejdinit e Edi Ramës.
Më poshtë deklarata e plotë e Lulzim Bashës me 19 qershor 2015.
Në emër të Partisë Demokratike, në emër të opozitës, në emër të gjithë qytetarëve shqiptarëve, shqiptarëve të lirë që vlerësojnë votën, demokracinë, lirinë për të zgjedhur, deklaratën e anëtarëve të Komitetit të Helsinkit në Kongresin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës mbi procesin e zgjedhjeve vendore në Shqipëri.
Në këtë deklaratë të shpërndarë në media, që pason të tjera nga partner strategjikë të Shqipërisë, përfshi Shtetet e Bashkuara të Amerikës, thuhet qartë se qytetarëve shqiptarë u duhet bërë e mundur që po marrin pjesë në një proces zgjedhor transparent, pa intimidime, kërcënime apo sulmeve ndaj kandidatëve, mediave, zyrtarëve të zgjedhjeve, apo votuesve. Fatkeqësisht të gjitha këto janë shqetësime aktuale në Shqipëri, -vazhdoj të citoj deklaratën-ne shpresojmë që këto zgjedhje të vëzhgohen rreptësisht nga komuniteti ndërkombëtar sidomos nga OSBE dhe nga vetë grupet e brendshme shqiptare.
Deklarata e Komitetit të Helsinkit në Kongresin Amerikan, ngre lartë shqetësimin që opozita shqiptare dhe PD ka bërë present gjatë gjithë fushatës elektorale duke nisur me përdorimin me urdhër të kryeministrit të administratës publike dhe vënien e saj jo vetëm në dispozicion të fushatës por edhe përdorimin e drejtorëve të administratës për të marrë në patronazh kutitë e votimit siç shqiptarët e dëgjuan me zë në mbledhjen e administratës publike në Shkodër me praninë e Kryeministrit dhe kryetarit të Kuvendit, nga e cila as Kryeministri as kryetari i Kuvendit nuk u distancuan e nuk janë distancuar deri më sot, por janë përpjekur ta kalojnë me gënjeshtra.
Përdorimi i administratës publike është bërë evident, duke u dokumentuar me dhjetëra e qindra raste të thërritjes së punonjësve të administratës të sektorit të shëndetësisë, të sektorit të arsimit, të burgjeve, urdhërimin e tyre për të paraqitur listat e kandidatëve që do të votojnë e partive në pushtet me norma 5-10-15 votues, ose përndryshe rrezikojnë vendin e punës.
Përdorimi i administratës faktohet qartë në praninë masive të punonjësve të adminsitartës publike dhe punonjësve civilë, nëpunësve civilë në aktivitetet e kandidatëve të shumicës gjatë orarit të punës dhe shpeshherë në ambientet e administratës publike.
Përdorimi i administratës publike siç nuk guxoi ta mohonte kryeministri gjatë konferencës për shtyp, provoi qartë dhjetëra aktivitete të dhënies së çertifikatës së pronësisë me praninë e kandidatëve të partisë në pushtet dhe në ambiente publike.
Një tjetër shqetësim i dokumentuar tashmë është përfshirja masive e zyrtarëve të lartë të Policisë së Shtetit në krah të kandidatëve të pushtetit ose mosveprimi i tyre, moszbatimi i ligjit në rastet kur kandidatët e opozitës dhe fushata e opozitës janë kërcënuar, intimiduar nga bandat e lidhura me pushtetin.
Është rasti i Sukthit të cilin kryeministri para tre javësh ka premtuar se do ta dënojë para partnerëve ndërkombëtarë por që edhe sot nuk guxoi ta bënte ku aktivistët e Partisë Demokratike u goditën nga banditë të cilët ishin fotografuar një javë më parë në shoqërinë e shefit të komisiariatit të zonës.
Në fakt gjatë kohës që Edi Rama dhe Ilir Meta që mbanin konferencën e tyre fallco në hotel “Rogner” një orë më parë, në të njëjtin moment banda e Xhabaftëve në Vorë kërcënoi kandidatin dhe shtabin në Vorë se kishin një orë për t’u larguar nga shtabi i tyre përndryshe do të hapej zjarr mbi ta. Banda e Xhabaftëve e armatosur me armë zjarri, me të paktën 20 apo 25 banditë, qartësisht dhe dukshëm të armatosur me armë të paligjshme ka 72 orë që është e pranishme në qendër të Vorës dhe kudo ku zhvillohet fushata e kandidatit tonë. Të pranishëm janë edhe forcat e operacionales apo thënë ndryshe forcat e Policisë së Shtetit të cilat kanë të gjitha kapacitetet vëzhguese dhe dokumentuese, ku prej 72 orësh ndonëse vëzhgojnë individë të armatosur në kundërshtim të plotë më ligjin nuk veprojnë, nuk ndërhyjnë, nuk raportojnë.
Policia e Shtetit vazhdon të përdoret masivisht sepse Edi Rama ka vendosur standardin e emërimit personave me precedent kriminalë siç është bashkëshorti i kandidates së PS-së në Klos, i dyshuar për grabitje bankash, rrëmbime dhe për vepra të tjera penale dhe që prej tre javësh është emëruar shef i Policisë Kriminale të Klosit dhe të Matit, dhe në këtë detyrë ka bërë dy gjëma ndaj qytetarëve dhe demokracisë në Mat.
Së pari, ka vendosur Policinë e Shtetit me pahir në funksion të fushatës dhe së dyti, ka dhënë “Carta Bianca” banditëve të cilët në disa raste kanë kërcënuar jo vetëm aktivistët e PD-së por edhe gazetarët lokalë në Mat, sikundër ne kemi bërë prezente faktorit ndërkombëtar, vëzhguesve dhe medias.
Përdorimi i Policisë së Shtetit nuk është diçka e re, dyshja Rama-Meta njihet botërisht dhe është dokumentuar nga OSBE-ODIHR si dhunuese e zgjedhjeve të 2001-it dhe 2003-it. Në vitin 2001 Ilir Meta kryeministër vendosi Policinë e Shtetit në krye të një operacioni kundër dhunimit të aktivistëve të opozitës, ndërkohë që operacione të tjera të frymëzuara nga Sigurimi i Shtetit bënë të mundur implantimin e armëve në Sukth dhe në zona të tjera të vendit për të goditur aktivistët e opozitës. “Ujku qimen e ndërron por zakonin s’e harron”, janë thinjur të dy por të njejtat manipulacione po vazhdojnë të bëjnë anembanë vendit.
Gjatë mbrëmjes së kaluar Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë të njësive të Fierit, kanë terrorizuar dhe kanë terrorizuar jo vetëm gjatë mbrëmjes së kaluar por kanë terrorizuar për 48 orë aktivistët tanë në Mallakastër. Kanë arritur deri aty sa t’u drejtojnë armët aktivistëve tanë në Mallakastër, për të vetmin faj se Ilir Meta nuk mund të pranojë humbjen në Mallakastër siç e diktoi edhe prania popullore në shesh gjatë pranisë time në mitingun përmbyllës në Mallakastër./m.j