Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu ka mbërritur pranë spitali Covid 3. Këtë paradite kati i parë i spitalit, ku ndodhen zyrat e administratës u përfshi nga zjarri.
Ministrja ka mbërritur aty për të parë nga afër situatën. Në një deklaratë për mediat dha sqarime për zjarrin e rënë në spitalin Covid 3 në QSUT. Ministrja siguroi se zjarri ka rënë në zonën e gjelbër të godinës, ku ofrohen shërbimet mbështetëse dhe se asnjë pacient dhe anëtar i stafit nuk është prekur.
“Në këtë incident nuk ka asnjë përfshirje në pavionet që shërbehen pacientët. Incidenti ka ndodhur jo në zonat e pavijoneve por në zonën e gjelbër, shërbimet mbështetëse, që nuk është e lidhur me pavijonet. Ky incident sapo është evidentuar nga strukturat mbështetëse të QSUT është reaguar dhe janë lajmëruar strukturat përgjegjëse që janë duke kryer hetimin për shkakun. Ajo që është e rëndësishme është që pacientet dhe stafi janë shumë mirë dhe nuk ka asgjë për tu shqetësuar. Sepse incidenti ka ndodhur në këtë zonë të strukturës ku aktualisht nuk ofrohet shërbim”, tha ministrja.
Në vendngjarje ndodhen edhe shërbimet zjarrfikëse. Zjarri është vënën nën kontroll, ndërsa janë shkaktuar vetëm dëme materiale. Në mjediset ku ra zjarr nuk ka pacientë të shtruar, por vetëm zyra.
Godina e ish-Kirurgjisë në QSUT prej kohësh shërben si spital Covid, për pacientët që kanë nevojë për trajtim.
g.kosovari