“Mua më erdhi keq kur u prish kompleksi,”-thotë Ylli Shehu, legjendë e klubit Partizanit.
“Në atë kompleks kanë kaluar shumë breza, të cilët kanë shkruar një lloj historie që është e vështirë të përsëritet,”-shprehet Eduard Zhupa, ish-trajner i Partizanit.
Numërimi mbrapsht për të pasur një kompleks të ri për Partizanin ka filluar. Kjo pas gati 10 vitesh që nga momenti kur u prish kompleksi i vjetër te ish 21-dhjetori. Presidenca e Gaz Demit po shkon drejt finalizimit të një projekti që kap vlerën e 8 milionë eurove, ndërsa stadiumi ku të kuqtë do zhvillojnë ndeshjen do ketë një kapacitet prej 4500 vendesh.
Aktualisht ka përfunduar ndërtimi i ambienteve të jashtme të hotelit dhe stadiumit, ndërsa pritet të nisë edhe arredimi.
Gjithçka do jetë brenda standarteve të kërkuara edhe nga UEFA, ndërsa në fillim të dhjetorit do nisë shtrimi i fushës, vendosja e stolave, implentimi i impiantit të ndriçimit dhe kompletimi me të gjithë mjetet e punës që i nevojiten një kompleksi.
Pjesë e këtij investimi është edhe FSHF me afërsisht 1.5 milionë dollarë. Institucioni i futbollit shqiptar ka marrë përsipër pjesën e fundit të punimeve siç janë vendosja e stolave, shtrimi i tapetit, ndriçimi dhe arredimi i ambienteve të brendshme.
Ish-drejtori i shumësportëshit te Partizani në kohën e kompleksit të vjetër, Isa Tare, thotë se i vjen keq që në kompleksin e ri nuk do ketë vend për sportet e tjera përveç futbollit, por ai shton se e kupton arsyen.
Përsa i përket kompleksit të vjetër rezultatet e lartë të arritura në disa sporte detyruan Partinë Komuniste të Shqipërisë ta ndërtonin atë në vitin 1970, me një sipërfaqe prej 26 mijë metrash katrorë. Ky kompleks në rrugën ‘Frisina Plaku’, pranë 21-dhjetorit, u shëndërrua në stimuj për shumë sportistë për t’u bërë pjesë e klubit Partizani, që për një periudhë afërisht 35-vjeçare shkroi emrin me gërma të arta në sportin shqiptar.
Mirëpo në vitin 2006 trualli ku ishte ndërtuar ky kompleks u lakmua nga politikanët që ishin në pushtet, të cilët fillimisht arritën të përfitonin truallin dhe më pas përfituan edhe lejen e ndërtimit për një kompleks pallatesh. Në janar të 2014 pikërisht në vendin ku më parë ishte kompleksi i Partizanit nisi ndërtimi i 17 objeketeve të banimit, që sot është në zonat e preferuara të kryeqytetit.
Isa Tare, ish-drejtor i shumësportëshit te Partizani, tregon se si rrodhën ngjarjet deri te prishja e kompleksit të vjetër.
“Unë kam qenë dëshmitar i prishjes së kompleksit, pasi deri në 2005 kam qenë drejtor i klubit të Partizanit. Nga 1995. Unë e kisha jashtëzakonisht merak klubin, por në atë kohë u ndërrua pushteti e mori PD-ja dhe dhëndri i Sali Berishës, duke patur përkrahje nga ky i fundit, dhanë urdhër për të më larguar mua.
Tani kanë bërë një 15 kulla duke prishur gjithë atë klub të mrekullueshëm. Ishte diçka e jashtëzakonshme për kohën. Unë nuk kam zemër të kaloj në atë vend sepse kam kaluar të gjithë jetën timë,”-deklaron për Report TV, Isa Tare, ish-drejtor i shumësportëshit te Partizani./m.j